Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar për shkak të situatës në veri të vendit dhe pasi ShBA-të e përjashtuan Kosovën nga ushtrimi i madh ushtarak, “Defender Europe ’23”, i udhëhequr nga Ushtria Amerikane
Sipas LDK-së, “Qeveria po bie në grackën e Serbisë”. Ata thanë se “LDK-ja nuk do të lejojë, për asnjë çmim, asnjë politikan e asnjë Qeveri, të rrezikojë themelet e shtetësisë”.
“Sulmet e bandave kriminale të drejtuara ndaj Policisë së Kosovës, gazetarëve raportues e ushtarëve paqëruajtës të KFOR-it tregojnë qartazi tendencat destabilizuese të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës, institucioneve tona e vet trupave të NATO-s me mision në Kosovë”.
LDK-ja që drejtohet nga deputeti opozitar, Lumir Abdixhiku, është e mendimit se Kosova ndodhet në pozicion të rëndë diplomatik e strategjik.
Reagimi i plotë i LDK-së:
Lidhja Demokratike e Kosovës ka ndjekur me shumë vëmendje dhe shqetësim gjithë ngjarjet e ditëve të fundit në veri të vendit.
Sulmet e bandave kriminale të drejtuara ndaj Policisë së Kosovës, gazetarëve raportues e ushtarëve paqëruajtës të KFOR-it tregojnë qartazi tendencat destabilizuese të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës, institucioneve tona e vet trupave të NATO-s me mision në Kosovë.
Këto tendenca e këto veprime kanë qenë gjithmonë të njohura për Republikën e Kosovës.
Por e panjohur, zhgënjyese dhe së këndejmi e rrezikshme e me pasoja afatgjata për vet shtetin tonë, mbetet qasja e Kryeministrit, Qeverisë së Kosovës, dhe institucioneve të tjera drejtuese në raport me aleatët historikë të Republikës së Kosovës në trajtimin e këtij provokimi në Veri. Mungesa e koordinimit të ngushtë për ndërmarrjen e hapave politik në bashkërendim me shtetet mike, në veçanti në fushën e sigurisë, e ka vënë shtetin tonë, si rrallëherë më parë, në përplasje të hapur me aleatët më të mëdhenj.
Nga përplasja me grupet kriminale në veri, Qeveria e Kosovës po përfundon në përplasje me vetë Perëndimin, duke rënë kështu në grackën e Serbisë. Reagimet e shteteve mike, kundër institucioneve të Kosovës, reagimet e SHBA-së, Gjermanisë, Francës, BE-së e vet NATO-s, dëshmojnë pozicionin e rëndë diplomatik e strategjik në të cilin gjendet Kosova. Në një pozicion të tillë Kosova nuk është gjendur asnjëherë më parë.
LDK-ja i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që në këto momente kritike për vendin dhe të ardhmen euroatlantike të zgjedhë maturinë politike para popullizmit afatshkurtër. Në vend të euforisë së grupeve partiake të zgjedhë rrugëtimin e vendosur euroatlantik të shtetit bashkë me aleatët. Arritjet historike të Kosovës, nga angazhimi ynë për liri, pavarësi e demokraci e deri tek përpjekjet e deritanishme për forcimin e shtetit, kanë shenjën e koordinimit dhe ecjes së përbashkët me aleatët tanë. Devijimi nga një ecje e tillë është devijim nga vet rrugëtimi euroatlantik, siç dhe është shërbim ndaj vetë kundërshtarit të shtetit tonë.
Përjashtimi i Kosovës nga ‘Defender 2023’ është hap në këtë drejtim.
LDK-ja nuk do të lejojë, për asnjë çmim, asnjë politikan e asnjë Qeveri, të rrezikojë themelet e shtetësisë.