Trupat e nëntë palestinezëve, pesë prej të cilëve u nxorën nga rrënojat në 24 orët e fundit në Rripin e Gazës, ku u arrit një armëpushim pas sulmeve të vazhdueshme të Izraelit që nga 7 tetori 2023, u transferuan në spitale, transmeton Anadolu.
Ministria e Shëndetësisë e Palestinës në Gaza publikoi informacionin e fundit për të vrarët dhe të plagosurit si rezultat i sulmeve të ushtrisë izraelite pas marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve të arritur midis Izraelit dhe Hamasit më 19 janar, përcjell KP.
Në 24 orët e fundit në spital kanë mbërritur 9 trupa të pajetë dhe 16 të plagosur. Mësohet se 5 prej atyre që u vranë janë nxjerrë nga rrënojat ndërsa 4 prej tyre janë vrarë në sulmet e kryera ditën e fundit.
Numri i palestinezëve që u vranë në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023, ka arritur në 48.467 ndërsa numri i të plagosurve është rritur në 111.913.
Pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve të arritur me Hamasin, Izraeli vazhdon të shkelë shpesh armëpushimin në Gaza.