Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, më 10 mars do të vizitojë Riadin ku do të takohet me Princin e Kurorës, Mohammed bin Salman, udhëheqësin de facto të Arabisë Saudite.
Vizita e Zelenskyt zhvillohet një ditë para bisedimeve mes delegacioneve të Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara në Xheda të Arabisë Saudite, bisedime që kanë për synim t’i japin fund luftës trevjeçare të Rusisë në Urainë.
SHBA-ja, mbështetësja kryesore ushtarake e Kievit, po synon që t’i japë fund shpejt konfliktit, duke mbajtur bisedime të drejtpërdrejta me Moskës, teksa Uashingtoni ka pezulluar ndihmën ushtarake dhe ndarjen e informacioneve të inteligjencës me Ukrainën.
Bisedimet SHBA-Ukrainë më 11 mars do të jenë bisedimet e para formale që nga përplasja në Zyrën Ovale mes Zelenskyt, presidentit amerikan, Donald Trump, dhe nënpresidentit JD Vance më 28 shkurt. Pas përplasjes publike, presidentit ukrainas iu kërkua që të largohej nga Shtëpia e Bardhë.
Zelensky ka thënë se nuk do të jetë pjesë e bisedimeve SHBA-Ukrainë në Xheda. Delegacioni ukrainas do të përfshijë ministrin e Jashtëm, Andrii Sybiha, shefin e stafit të Zelenskyt, Andriy Yermak, dhe ministrin e Mbrojtjes, Rustem Umerov.
Ata do të takohen me delegacionin amerikan që pritet të përfshijë të dërguarin e Trumpit për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, dhe këshilltarin për siguri kombëtare, Mike Waltz. Rubio u nis për në Arabinë Saudite mbrëmjen e 9 marsit.
“Ne jemi plotësisht të përkushtuar për një dialog konstruktiv dhe shpresojmë të diskutojmë dhe të pajtohemi për vendimet dhe hapat e nevojshëm”, shkroi Zelensky më 9 mars në X. “Propozimet realiste janë në tavolinë. Çelësi është të veprojmë shpejt dhe në mënyrë efektive”.
Kievi me gjasë do të propozojë një plan të paqes të hartuar nga Zelensky që përfshin një marrëveshje ajrore dhe detare si hap të parë.
Zelensky po përballet me presion të madh nga Uashingtoni që shpejt të pajtohet për një marrëveshje armëpushimi me Rusinë, pavarësisht se SHBA-ja nuk është zotuar për garanci të sigurisë. Por, deri më tani Moska nuk ka shfaqur interes për ndaljen e armiqësive.
Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj fqinjit të saj dhe ditëve të fundit është raportuar se ka bërë përparim në fushëbetejë.
Më 9 mars, Trump sugjeroi se Ukraina mund të mos jetë në gjendje t’i mbijetojë luftës kundër Rusisë, edhe me mbështetjen e SHBA-së.
Në një intervistë për Fox News, Trump mbrojti vendimin e tij për të reduktuar mbështetjen për Ukrainën duke thënë: “Epo, ata gjithsesi mund të mos e mbijetojnë [luftën]”.
Trump po ashtu ka përsëritur pretendimin e tij se Zelensky nuk është “mirënjohës” për mbështetjen e SHBA-së, por e ka përshkruar presidentin ukrainas si njeri “të mençur” dhe “të fortë”.