KQZ nuk miraton rekomandimin që të numërohen 177 kuti të votimit përmes postës

Me tone të ashpra është zhvilluar të enjten mbledhja e Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, e gjitha kjo pas një rekomandimi të Sekretariatit të KQZ-së.

Me 4 vota për KQZ nuk ka miratuar rekomandimin e sekretariatit të KQZ-së për hapjen e të gjitha kutive të votimit me fletëvotimet e dërguara nga votuesit jashtë Kosovës në kutitë postare të KQZ-së, raporton Ekonomia Online.

Ky rekomandim u kundërshtua nga anëtaret e opozitës, të cilët thanë se janë vetëm për vendimin e PZAP-së dhe jo rekomandimin e sekretariatit.

Besnik Buzhala, u.d drejtor i sekretariatit të KQZ-së, tha se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, sipas vendimeve të datës 04.03.2025, ka miratuar ankesën e subjektit politik Lëvizja VETËVENDOSJE!, me ç’rast 15 fletëvotimet të cilat janë shpallur të pavlefshme, të vlerësohen të vlefshme dhe të njëjtat të përfshihen në rezultatin përfundimtar.

Sipas tij, duke u bazuar në informatat e mbledhura, fletëvotimet e tilla gjenden në shumicën e kutive tjera, e që përfshijnë subjektet politike të ndryshme, dhe me këtë rast ai tha se sekretariati i KQZ i rekomandon KQZ që të marrë vendim për hapjen e të gjitha kutive të votimit përmes postës, me qëllim që të ri vlerësohen dhe të numërohen të gjitha fletëvotimet që janë shpallë të pavlefshme, në përputhje me vendimin e PZAP, ku të njëjtat pastaj, do të hyjnë në rezultate për subjektet politike dhe për kandidatët.

“Sekretariati i rekomandon KQZ-së që të hapë të gjitha kutitë me votat e diasporës me zarf, 177 kuti, ku janë 1631 fletëvotime të pavlefshme, në mënyrë që të vlerësohen këto kuti në fletëvotimet që janë shpallur te pavlefshme, bazuar na vendimin e Pzap për shpalljen të pavlefshme të 15 fletëvotimeve, pas ankesës së subjektit politik, LVV”, ka thënë ai.

Anëtari i KQZ nga PDK Ilir Gashi, ka thënë se janë kundër këtij rekomandimi dhe se janë për vetëm për vendimin e PZAP-së.

Gashi tha se vendimi i PZAP është marr dhe është si një rezultat i një procedure.

“Keni bërë një kërkesë hipotetike e cila nuk do të duhej të vije nga ju. Janë fletëvotimi që janë burimi i një printeri. Unë kam thënë që nga fillimi që ky proces është i kontaminuat. Unë jam për të respektuar vetëm vendimin e PZAP vetëm për vendimit konkret, asnjë kuti tjetër nuk duhet të hapet pa një vendimi të PZAP. Unë kërkoj që ky rekomandim të mos mbështetet. Duhet që t’i presim afatet e ankesave”, ka thënë ai.

Anëtari i KQZ nga VV-ja Sami Kurteshi, ka thënë se janë pro këtij rekomandimi.

“Rekomandimi ishte i detajuar, ne kemi një vendim të PZAP-së, që gabimisht janë shpallur të pavlefshme. Bëhet fjalë për fletëvotime që kanë qenë të shtypura. PZAP thotë se janë të vlefshme sepse është ditur qëllimi i votuesit. Duhet të nxirren të gjitha fletëvotimet e pavlefshme dhe të rinumërohen”, ka thënë ai.

Anëtari i KQZ-së nga AAK-ja Ibrahim Selmonaj, ka thënë se gjithë procesi i votimit me postë për të dhe partin e tij është i kontaminuar.

Për këtë ai ka thënë se e përkrahin vetëm vendimin e PZAP.

“Edhe në numërofshin të gjitha votat me postë për mua dhe AAK janë vota të kontaminuara, të dyshuara dhe janë vota që nga fillimi që ka nisur regjistrimi dhe transporti nuk na japin një garanci që kjo votë është e sigurt. E mbështes vendimin e PZAP”, ka thënë ai.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA