Në mbledhjen e Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës, të enjten, si pikë e rendit të ditës ishte diskutimi për vazhdimin e investimeve në gjykata. Me këtë rast, kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi tha se po punojnë në një objekt, në të cilin nga infomracionet që posedon, nuk ka pranim teknik, duke shtuar se kanë probleme edhe me hapësirat.
“Me sa e di, Pallati s’ka pas asnjëherë pranim teknik, të paktën e kam këtë informacion, një investim mbi 25 milionë mos me pas pranim teknik dhe afër 2 mijë persona me punu brenda objektit për mu nuk është normale”, tha Rexhepi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Mirëpo, sipas tij, këto kushte të punës nuk duhet ta dekurajojnë stafin e sistemit gjyqësor dhe se duhet të vazhdojnë me punën dhe ofrimin e shërbimeve për palët.
Po ashtu, Rexhepi shtoi se problem janë edhe hapësirat brenda Pallatit.
“Ta bëjmë sa më funksional, që të mundësojmë një punë normale brenda Pallatit edhe hapësirat janë problem, menaxhimi problem…”, shtoi Rexhepi.
Paraprakisht, drejtori i Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Shkelzen Maliqi tha se investimet në sistemin gjyqësor të Kosovës gjatë vitit 2024 për renovim kanë kaluar shifrën mbi 130 mijë euro dhe për inventar mbi 164 mijë euro. Sipas tij, këto shifra janë të vogla në krahasim me nevojat.
Po ashtu, Maliqi tha se janë bërë dhe po bëhen investime në arkivat e gjykatave dhe në funksionalizimin e objekteve të gjykatave të reja.
Më pas, kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj kërkoi nga kryetarët e gjykatave dhe mbikëqyrësit që t’iu bëhet presion Këshillit dhe Sekretariatit në veçanti për të gjitha problematikat me të cilat ballafaqohen.
Sipas Zogajt, nuk ka kushte të përshtatshme për palët në gjykatë e monitoruesit, dhe se për këtë duhet angazhim që të përmirësohen këto kushte.
Më pas, kryetari i Gjykatës së Apelit, Valon Totaj tha se gjendja në Pallatin e Drejtësisë është alarmante, sidomos për sigurinë. Sipas tij, problemet janë të natyrave të ndryshme, duke nisur nga ato më elementare që lidhen me higjienë, dyert e zyrave dhe parkingun.
Totaj tha se ka raste kur futen palë nëpër zyra të gjyqtarëve, për çka edhe e kanë problem largimin e njëjtëve, duke kërkuar kështu një angazhim që siguria të rritet në Pallatin e Drejtësisë.
“Gjendja në Pallatin e Drejtësisë është alarmante, qoftë brenda hapësirave por edhe të aspektit të sigurisë, ku e vërejmë sidomos periudhën e fundit”, tha Totaj.
Në këtë takim, u diskutua po ashtu për monitorimin që OSBE-ja i bën sistemit gjyqësor. Zyrtarët nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, Mark Lasser- shef i Sektorit për Ligj dhe Drejtësi, si dhe Kahramon Sanginov- zyrtar i Projektit për Monitorimin e Rasteve të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionet, prezantuan rolin e programeve të monitorimit të gjyqësorit, si dhe metodologjinë dhe parimet e aplikuara në monitorim.
Pas prezantimit, kryetari Rexhepi tha se bashkëpunimi do të vazhdojë dhe do të shihet se si do të realizohet në të ardhmen.
Gjatë këtij takimi, u diskutua edhe për hartimin e një akti nga ana e KGJK-së, për të qartësuar përgjegjësitë ndërvepruese të KGJK-së dhe SKGJK-së me gjykatat.
Agron Maxhuni, mbikqyrës i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, dega Vushtrri, tha se është mëse i nëvojshëm hartimi i një akti të tillë pasi që Këshilli ka miratuar një sërë aktesh dhe se duhet të qartësohen përgjegjësit e administratorit dhe kryetarëve të gjykatave.
Më pas, u votua rekomandimi që Këshilli të fillojë punën për përpilimin e këtij akti.
Asambleja caktoi gjykatësin Maxhuni si përfaqësues për ndërveprim me Komisionin për Administrimin e Gjykatave, krejt kjo me qëllim të lehtësimit dhe adresimit të problemeve që ka sistemit gjyqësor me administrimin e gjykatave.
Po ashtu, në këtë takim u diskutua për fuqizimin e zyrave/shërbimit të ekzekutimit në gjykata (standardizimi i veprimeve, unifikimi i procedurave, si dhe definimi i përgjegjësive).
Me këtë rast, u nxor rekomandim që Komisioni për Administrimin e Gjykatave të identifikojë problematikat dhe pastaj të fillojë me hartimin e një akti për unifikimin e praktikave pranë gjykatave për ekzekutimin e sanksioneve penale ose edhe civile.
Paraprakisht, kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama tha se është e nevojshme që Komisioni për Administrim të Gjykatave dhe vetë Sekretariati i Këshillit të kenë të përcaktuara detyrat dhe përgjegjësitë.
Ajo shtoi se nuk është se kanë pasur takime të shumta me Komisionin dhe kërkoi që të dihen përgjegjësitë e Komisonit.
“Po kërkojmë me u qartësu përgjegjësia e Sekretariatit dhe Komisionit për Administrim të Gjykatave dhe nuk është se kemi pas takime të shpeshta për ndihmë dhe përgjegjësitë që kanë në raport me përgjegjësitë e gjykatave m’u ba më të njohura përgjegjësitë e Komisionit për Administrimin e Gjykatave”, tha Shabani-Rama.