Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar masakrën e Likoshanit dhe Qirezit në vitin 1998, raporton Ekonomia Online.Haradinaj ka thënë se Likoshani dhe Qirezi u bënë dëshmitarë të një prej akteve më të tmerrshme të makinerisë shtypëse serbe.
“Likoshani dhe Qirezi u bënë dëshmitarë të një prej akteve më të tmerrshme të makinerisë shtypëse serbe. Në fund të shkurtit 1998, të tronditura nga humbjet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, forcat serbe reaguan me hakmarrje barbare, duke vrarë gra, pleq, fëmijë dhe të rinj të pafajshëm”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se kjo masakër shënoi fillimin e vrasjeve masive të shqiptarëve të Kosovës, spastrimin etnik dhe shkatërrimin e pasurisë së tyre.
“Kjo masakër, e kryer nga policia dhe ushtria serbe, shënoi fillimin e vrasjeve masive të shqiptarëve të Kosovës, spastrimin etnik dhe shkatërrimin e pasurisë së tyre. Përulemi me nderim para sakrificës së martirëve që jetën ia falën atdheut. Bashkëndjejmë me familjet që kanë humbur më të dashurit e tyre. Ishim me ta, jemi sot dhe përgjithmonë”, është shprehur Haradinaj.