Përgatiti: Fatlum Jashari
Në një prezantim në Davos të Zvicrës, duke folur për ato që i vlerësoi të arritura në raport me rritjen e punësimit, kryeministri Albin Kurti tha se në Kosovë janë dy mijë punëtorë nga Azia e largët, kryesisht nga Filipinet dhe Bangladeshi.
Referuar normës së varfërisë prej 19.2%, sipas Bankës Botërore, profesori Shkumbin Misini vlerësoi se ka shpërputhje në statistikat e paraqitur nga kryeministri dhe realitetit.
“Është kontroverse të thuhet që ne po importojmë nga vende të ndryshme të botës njerëz për punësim, e në anën tjetër e ke shkallën e papunësisë shumë të lartë. Dhe, shumë zhgënjyese është kur vetëm 37% e atyre që janë të aftë për punë, janë të punësuar”, tha Misini.
Edhe për numrin e punëtorëve nga jashtë profesori tha se nuk ka të dhëna të
sakta, meqë sipas tij, Kosova është kryesisht vend-tranzit.
“Na shumica e bizneseve që i kam dëgjua, kanë thënë që ka raste që i kemi mbajtë, një jave, një muaj, tre muaj, ua kemi bërë leje-qëndrimet, ua kemi paguar banesat, u kemi dhënë paga paraprake dhe janë larguar pa njoftim”, tha Misini.
Në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë thanë se shifra e dhënë nga kryeministri është risi, ndërsa në mesin e arsyeve përmenden ikjen e punëtorëve vendorë.
“Pjesa e sektorit të hotelerisë dhe ndërtimtarisë vazhdojnë të ndjejnë krizën për punëtorë, sepse siç e kemi pa është hapja e madhe e tregut në Evropë, sidomos në pjesën e Gjermanisë… dhe normalisht fuqia financiare atje është shumëfish më e madhe sesa e bizneseve në Kosovë”, tha Kushtrim Ahmeti, koordinator nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë.
Si problem tjetër kyç në këtë kontekst, Kushtrim Ahmeti përmendi mungesën e punëtorëve të kualifikuar dhe mungesën e politikave orientuese e ndërlidhëse.
“Në mungesë të funksionimit siç duhet të shkollave profesionale dhe ndërlidhjes së tyre me sektorin privat, atëherë kjo ka shkaktuar mungesë të madhe të punëtorëve profesional, dhe normalisht kur biznesi nuk gjen punëtorë brenda vendit, duhet të kërkojë të bëjë zgjidhje edhe jashtë vendit, në mënyrë që të vazhdojë të ekzistojë si biznes”, tha Ahmeti.
Sipas publikimit të fundit të Agjencisë së Statistikave, shkalla e jo-aktivitetit në tregun e punës është 59%, ndërsa numri të papunëve afër 52 mijë.