Ngecin kërkimet për të zhdukurit gjatë luftës, Serbia mban peng arkivat

Serbia vazhdon të refuzoj që të dorëzoj te Kosova të dhënat nga arkivat që do të ndihmonin në gjetjen e personave të zhdukur gjatë luftës nga forcat serbe.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Kushtrim Gara, përfaqësues i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, kritikoi mungesën e gatishmërisë së palës serbe për të ofruar të dhëna nga arkivat, duke penguar përparimin e kërkimeve.

“Përkundër sfidave të mëdha, e që mbi të gjitha edhe gjatë këtij viti puna dhe angazhimi ynë është sfiduar me mungesën e informacioneve të besueshme , që ndërlidhet, si rezultat edhe i një politizimi të skajshëm të këtij procesi nga institucionet e Serbisë, me mungesën e gatishmërisë së palës serbe, për të vë në dispozicion të dhënat nga arkivat e tyre, si dhe duke prolonguar e pamundësuar vazhdimin e vlerësimeve apo fillimin e gërmimeve në lokacionet tanimë të shënjuara brenda territorit të Serbisë”, ka thënë Gara.

Megjithatë, ai vlerëson se përmes bashkëpunimit të pandërprerë me familjet e të zhdukurve, shoqatat familjare, mbështetjen institucionale dhe përkrahjen nga partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe përkushtim të stafit e secilit zyrtar të institucioneve të angazhuar në këtë proces, janë bërë hapa domethënës drejt drejtësisë dhe të vërtetës, drejt respektimit të një të drejtë elementare të familjeve, siç është e drejta për të ditur.

Gara thekson se Komisioni ka bërë hapa të rëndësishëm për drejtësinë dhe të vërtetën përmes bashkëpunimit me familjet e të zhdukurve dhe partnerët ndërkombëtarë.

Në vitin 2024, janë realizuar mbi 33 operacione dhe aktivitete në terren, duke përfshirë 23 lokacione në Kosovë. Koordinimi i vazhdueshëm me Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe sektorin për personat e zhdukur, sipas tij ka mundësuar përparim në vlerësimet dhe kërkimet.

“Me qëllim të një koordinimi më të mirë dhe funksionimit si një ekip, krahas takimeve të KQPZH-së, kemi vazhduar me praktikën e takimeve të rregullta me Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Sektorit për Persona të Zhdukur kuadër të Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, në veçanti në adresimin e informatave dhe realizimin e vlerësimeve të nevojshme në terren. Gjatë vitit 2024, janë realizuar më shumë se 33 operacione apo aktivitete fushore. Përfshirë 23 lokacione brenda territorit të Republikës së Kosovës, në kuptim të gërmimit vlerësues, që ndërlidhen me procesin e ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur”, tha Gara për Ekonomia Online.

Të gjitha lokacionet e adresuara në kuptim të gërmimit vlerësues, paraprakisht sipas tij nënkuptojnë një sërë aktivitete të ndjekura, në respektim të legjislacionit në fuqi, përfshirë këtu edhe sigurimin dhe trajtimin e informatave, vizitat e nevojshme në terren, shënjimi i lokacionit, sigurimi i urdhëresave nga gjykata kompetente, përmes prokurorëve për krime lufte.

“Nga 23 lokacionet në fjalë, vetëm 9 prej tyre kanë rezultuar me gjetjen dhe zhvarrosje të mbetjeve mortore. Sipas ekspertëve mjekoligjor nga këto lokacione janë zhvarrosur 13 individë, megjithatë kjo e dhënë mund të konfirmohet vetëm pasi të përfundojnë të gjitha procedurat e nevojshme të ekzaminimit mjekoligjor përfshirë edhe identifikimin përmes analizës shkencore të ADN-së”, theksoi ai.

Tutje, ai shtoi se në vitin 2024, janë realizuar vlerësimet e nevojshme në lokacionet brenda Kosovës, ndërsa në Serbi, përkundër dakordimeve, nuk ka pasur ftesë për vlerësime në Batajnicë dhe Kozarevë.

“Përderisa në lokacionet brenda territorit të Republikës së Kosovës, janë kryer vlerësimet e nevojshme, në lokacionet brenda territorit të Serbisë përkundër dakordimeve nuk ka pasur ftesë për vlerësim në lokacionet në Batajnicë dhe Kozarevë, në këtë lokacion përjashto një vizitë të përbashkët e realizuar më 18 tetor 2023. Ndërsa në lokacionin në Kozhle, në afërsi të një ‘deponie’, janë realizuar aktivitetet me qëllim të pastrimit apo përgatitjes së terrenit dhe në kohën kur pritej datat e fillimit të vlerësimeve, edhe ky rast/lokacion është bartur në vitin 2025 nga pala serbe”, shtoi Gara.

Ai theksoi se në Kozhle janë realizuar aktivitete për pastrimin e terrenit, por edhe ky lokacion është shtyrë për në vitin 2025 nga pala serbe.

Gjatë dy takimeve, delegacioni ka paraqitur rreth 20 kërkesa për prioritetizimin e rasteve dhe lokacioneve, duke përfshirë kërkesa për qasje në arkiva dhe vazhdimin e vlerësimeve në lokacione si Batajnica, Bajna Bashta, Surdulica, Kozareva dhe rastet e zhdukjes si Masakra e Tërnjes dhe rasti i Intelektualëve.

“Delegacioni gjatë dy takimeve , ka prezantuar rreth 20 raste- lokacione në formë të kërkesave me qëllim të prioritizimit , si kërkesa për qasje në arkivat (Arkivat e Brigadës së Motorizuara 37 të ish-Ushtrisë Jugosllave ; arkivat e Brigadës së Motorizuar 549 të ish-Ushtrisë Jugosllave), rikthimi në lokacionet e konfirmuara si varre masive në territorin e Serbisë, si Batajnica, Bajna Bashta, Petrovosello, vazhdimi i vlerësimeve apo fillimi i vlerësimeve në disa lokacione, si Surdulica, Kozareva, Banja, Kozhle, Jallovishta, çështja e furrnaltave si Bor, Mackatica, Trepca, Ferronikeli, rastet e zhdukjes në grup që nuk ka asnjë identifikim Rasti i Intelektualëve, Masakra e Tërnjes, dhe Pokleku i Ri , rastet individuale profesor Ukshin Hoti, Dr Hafir Shala, z Xhavit Haziri, Sahide Metushi-Masakra e Recakut, Albion Kumnova , dhe rastet e fëmijëve të zhdukur”, tha ai.

Krahas bashkëpunimit mes institucioneve, si dhe me shoqatat e familjeve të personave të zhdukur , Gara deklaroi se edhe gjatë vitit 2024 ka vazhduar bashkëpunim i rregullt me organizatat tjera vendore dhe ndërkombëtare, me ambasadat e akredituara në Republikën e Kosovës dhe misionet ndërkombëtare.

“Në këtë rast mund të theksohet kontributit të rëndësishëm i EULEX-it, gjegjësisht mbështetjes përmes ekspertëve në Institutit e Mjekësisë Ligjore, bashkëpunimi me Kryqin e Kuq të Kosovës në shënimin e datave të veçanta dhe në rastin e angazhimit të dy hulumtuesve, si dhe një sërë angazhimesh e aktivitetesh në kuptim të mbështetjes nga ambasadat si Ambasada Zvicerane, Ambasada Britanike, Ambasada e Shteteve të Bashkuara, dhe organizatat si Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, UNDP dhe Zyra e BE-së”, tha ai për Ekonomia Online.

Nga 38 identifikimet e reja, ai tha se përfshihen 26 identifikime të viktimave që ishin, gjatë vitit 2024, në Listën e Personave të Zhdukur.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA