Njëri nga të dyshuarit në lidhje me shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit, Dragisa Vicentijevic, është paraqitur sot para Gjykatës Themelore në Prishtinë.
ATV mëson se, seanca ka përfunduar dhe është marrë vendimi për caktimin e masës së paraburgimit për një muaj ndaj të pandehurit.
Po ashtu, sipas burimeve të ATV-së, Dragisa Vicentijevic është i vetmi person ndaj të cilit Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka parashtruar deri tani kërkesë për masë sigurie.
Ngjarja ka ndodhur në mbrëmjen e 29 nëntorit, në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, ku një shpërthim ka dëmtuar rëndë kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.
Edhe pse nuk pati viktima, shpërthimi shkaktoi dëme të konsiderueshme në infrastrukturë, duke ndërprerë përkohësisht furnizimin me ujë në disa zona, përfshirë Mitrovicën, e cila mbeti pa ujë për gati 24 orë. Pas një riparimi të përkohshëm, furnizimi me ujë është rikthyer.
Kanali i ujit Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete dhe është jetik për funksionimin e termoelektranave të Korporatës Energjetike të Kosovës.