Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, në emisionin COMPAS në ATV, theksoi nevojën për të ngritur bashkëpunimin politik mes Kosovës dhe Shqipërisë në një fazë më të avancuar, duke krijuar institucione dhe mekanizma të përbashkët dhe të shkojnë përtej mbledhjeve të zakonshme të qeverive.
“Niveli i bashkëpunimit politik duhet të ngrihet në një nivel tjetër, ta them, të marrë një dinamikë tjetër. Ne i kemi pasur këtu mbledhjet e qeverive, të cilat dy vitet e fundit, për shkak të një konteksti problematik politik, janë ndërprerë. Por edhe ashtu ato e kanë pasur një stad të caktuar të shterrimit të mundësive të tyre”, tha Murati.
Ai propozoi marrjen e modeleve nga Bashkimi Evropian, Beneluksi apo Këshilli Nordik për të krijuar institucione të përhershme të përbashkëta mes dy vendeve.
“Sot nuk është e mjaftueshme që Kosova dhe Shqipëria të mbajnë mbledhje të qeverisë një herë në vit, sepse ministrat kthehen nëpër punët e tyre dhe nuk e kanë prioritet realizimin e marrëveshjeve”, theksoi Murati.
Ai vlerësoi marrëveshjet ekzistuese, por sugjeroi se ka ardhur koha për një fazë të re të bashkëpunimit.
“Ne duhet të shkojmë drejt krijimit të mekanizmave të përbashkët, mekanizmave të përhershëm, diçka si në Bashkimin Evropian. Është koha që të kalojmë në një nivel tjetër të bashkëpunimit, duke ndërtuar struktura që sigurojnë zbatimin efektiv të marrëveshjeve dhe forcimin e lidhjeve mes dy vendeve”, shtoi Murati.
Intervistën e tij të plotë në COMPASS, e gjeni në videon më poshtë: