Përgatiti: Kastriot Tahiri
Materiali që iu prezantua, nuk është pjesë e kapitujve të librit të historisë së klasës së 9-të. Mësimdhënësit e historisë vlerësojnë se këta libra nuk kanë mjaftueshëm material rreth 28 Nëntorit dhe historisë së shqiptarëve në përgjithësi.
Andaj mësuesi, Xhemaj Halili, çdo 28 nëntor thotë se përgatit prezantime jashtë kurikulës.
“Në klasën e 9 mësohet nga lufta e parë botërore e tutje, mund të hasim materiale, për Pavarësinë e Shqipërisë, në një libër kemi 40 %, mendimi im ishte të shtoheshin pjesë”, tha Halili.
Në librat e historisë ka pak material edhe për historinë e re të Kosovës, e cila sipas planprogramit mbulohet vetëm nga klasa e 9-të. Ndërkaq, lufta e fundit në Kosovë mbulohet në vetëm 5 faqe në klasë të 12-të.
“Ka pak material, flitet veç se si ka ardhur deri te lufta e në mënyrë sipërfaqësore krimet e luftës, janë krejt dy njësi mësimore” , tha Enver Llumnica, mësimdhënës i historisë.
Duke i konsideruar edhe pasaktësitë eventuale faktike që përmbajnë, sipas historianit, Lulzim Nika, librat e historisë duhet rishkruar.
“Mungojnë shumë informacione për luftën, tekstet duhet të rishkruhen, ngase nuk përmenden as masakrat e Vushtrrisë…”, tha Nika.
Lëndën e historisë nxënësit kosovarë e mësojnë nga klasa e 6-të deri në të 12-ën. 60 për qind e materialit trajton historinë botërore e ballkanike.