Halil Çadraku deklaroi të mërkurën në Hagë se mendon që pozitën e Inspektorit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e ka mbajtur tani i akuzuari Rexhep Selimi.
Ai tha se kurrë në këtë drejtim nuk ka kontaktuar me Rexhep Selimin.
“Më kujtohet se kam dëgjuar që për Inspektor të Përgjithshëm ka qenë zoti Rexhep Selimi. Kurrë nuk kam kontaktuar në këtë drejtim apo të mendoj se ka qenë post apo ashtu ne e kemi quajtur, por kujtoj se në këtë emërim në Inspektorin e Përgjithshëm të Shtabit të UÇK-së, ka qenë Rexhep Selimi”, tha Çadraku.
Dëshmitari tha se nuk ka njohuri se kur është emëruar në këtë post Selimi dhe as në ndonjë post tjetër ndonjëri prej anëtarëve tjerë të Shtabit të Përgjithshëm. Tha se edhe njohuria për pozitën e Selimit nuk është informacion i dorës së parë.
Çadraku shtoi gjithashtu se nuk e di se çfarë ka ndodhur në ish-ndërtesën e MUP-it nga data 16 deri më 18 qershor 1999 në Prizren.
Ai u përgjigj me ‘jo’ kur u pyet se a ka dëgjuar që një person në moshë ishte gjetur i vdekur në këtë ndërtesë.
Përpara se të shkohet në pushim të drekës, seanca kaloi në sesion privat pa praninë e dëshmitarit.
Tutje, dëshmitari Çadraku tha se asnjëherë nuk ka parë në ndonjë shkrim që Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit t’iu referoheshin si “gjeneral”. Sipas tij, kjo dëshmon që tani të akuzuarit nuk kanë pasur aktivitet ushtarak dhe operacional gjatë luftës.
Ai tha se detyra e Thaçit dhe Veselit ishte që të kontaktonin me strukturat ndërkombëtare, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Që 25 vjet, shtypi kosovar është i mbingarkuar me lloj-lloj shkrimesh si pozitive, si negative. Në asnjë gazetë si të kundërshtarëve e si të tonat, nuk kam lexuar t’i thuhet Hashim Thaçit, ‘Gjeneral Hashim Thaçi’. Në asnjë libër apo gazetë nuk kam parë t’i thuhet ‘Gjeneral Kadri Veseli’. Kjo e dëshmon që ata nuk kishin aktivitet të tyre ushtarak-operacional të tyre gjatë luftës së ’98-99, por kishin më shumë detyra të tyre të kontaktonin me strukturat ndërkombëtare”, tha Çadraku.
Madje, ai theksoi se këto i bazon në ato që ka parë dhe dëgjuar dhe si informacione nuk i ka nga Shtabi i Përgjithshëm.
“Krejt këto i bazoj nga ato që kam parë e dëgjuar, por jo nga kontaktet e mia me Shtabin e Përgjithshëm. Janë të lexuara e të dëgjuara”, tha Çadraku.