20 persona janë arrestuar në një operacion të madh të Policisë së Kosovës në katër qytete të mërkurën.
Operacioni është urdhëruar nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Hetuesit e Drejtorisë së Krimeve Kibernetike të policisë kanë kontrolluar sot 14 lokacione të ndryshme në Prishtinë, Ferizaj, Kaçanik dhe Klinë.
Të arrestuarit dyshohen për mashtrim të shtetasve të huaj.
“Gjatë këtij aksioni janë kontrolluar 14 lokacione, në Prishtinë, Ferizaj, Kaçanik dhe Klinë dhe janë arrestuar 20 persona të dyshuar se kanë kryer veprat penale: “Hyrja e paautorizuar kompjuterike” dhe “Mashtrimi”, thanë Prokuroria dhe Policia në një komunikatë të përbashkët për media.
Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar para të gatshme – rreth 120,000.00 euro, pesë vetura, si dhe janë ngrirë mjete financiare nëpër banka në Kosovë, si dhe prona të paluajtshme.
Në zbatimin e planit operativ kanë marrë pjesë rreth 120 zyrtarë policorë, thuhet në komunikatën e Prokurorisë dhe Policisë.
Gjithashtu, në operacion kanë marrë pjesë edhe zyrtarë gjerman, prokurorë dhe zyrtarë policor.
Me urdhër të prokurorit nga Prokuroria Speciale, 10 të dyshuar dërgohen në mbajtje prej 48 orëve, ndërsa 10 të dyshuar të tjerë lirohen në procedurë të rregullt.