Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se ka nisur procesin drejt hapjes së një fabrike për prodhimin e municionit dhe për laboratorë për dizajnim të fluturakeve pa pilotë, të njohur si dronë.
Në fillim të mbledhjes të së mërkurës të Qeverisë së Kosovës, Kurti bëri të ditur se është nënshkruar vendimi për themelimin e një komisioni ndërministror që ka për qëllim vlerësimin dhe nisjen e këtij procesi.
Ai tha se ky është “një hap i domosdoshëm për të garantuar zhvillimin e qëndrueshëm të ushtrisë”, raporton Radio Evropa e Lirë.
“Një ushtri që për një kohë kaq të shkurtër është armatosur kaq shumë sa kjo e jona ka nevojë për ta siguruar e garantuar operacionalitetin e plotë dhe qëndrueshmërinë tërësore. Sot hedhim hapat e parë për ngritjen e industrisë ushtarake”, tha Kurti.
Buxheti për Ministrinë e Mbrojtjes për vitin 2025 është paraparë të jetë 207.8 milionë euro, apo 54 milionë euro më shumë sesa këtë vit.
Sot në Kosovë shënohet Dita e Forcës, që simbolizon themelimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Kjo forcë u themelua më 1 janar të vitit 2009, pas shpërbërjes së Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK).
FSK-ja është aktualisht në proces të transformimit në ushtri të rregullt. Deri në fund të këtij procesi, më 2028, FSK-ja pritet t’i ketë mbi 7.500 pjesëtarë aktivë dhe rezervistë nga mbi 4.000 sa i ka aktualisht./REL