Një prej marrëveshjeve që ishte arritur në Bruksel, ishte edhe deklarata e përbashkët për të zhdukurit.
Por, për shkak të refuzimit të Serbisë, ajo ka mbetur vetëm në letër. Se nuk ka filluar ende zbatimi i saj, e pranon edhe Bashkimi Evropian.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, thotë se zbatimi do të ndodhë sapo palët të bien dakord për termat e referencës së Komisionit të përbashkët, i cili parashikohet ta monitorojë zbatimin e kësaj deklarate.
Deklarata për të zhdukurit, e nënshkruar para më shumë se një viti në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, as pas kësaj kohe nuk po gjen zbatim.
Stano ka treguar se kjo çështje u trajtua gjatë takimit të kryenegociatorëve, më 24 tetor, ndërkohë që ka mohuar përfaqësimin e Kosovës nga UNMIK-u, në Komisionin e Përbashkët,
duke thënë se kjo as nuk u propozua dhe as nuk u diskutua.
Më tej ai ka thënë se BE-ja përsërit se kjo ka të bëjë përfundimisht me familjet e atyre që janë ende të zhdukur, dhe se kjo çështje nuk duhet të politizohet.