Policia e Kosovës ka njoftuar se mbrëmë rreth orës 23:55, persona të panjohur kanë hedhur dy granata dore në oborrin e stacionit policor, në Zveçan.
Përmes një njoftimi, Policia tha se si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar dëme materiale, mirëpo nuk është raportuar për të lënduar.
“Në lidhje me këtë rast në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet relevante të cilat kanë kryer vendshikimin, gjithashtu është njoftuar edhe Njësia e Krimeve të Rënda, të cilët janë duke punuar intensivisht për të zbuluar autorët e këtij sulmi. Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar që rasti të iniciohet si ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Policisë.