Përgatiti: Nora Luta
Për të vazhduar ballafaqimin me drejtësinë, këtë të martë nga Burgu i Sigurisë së Lartë, Sladan Trajkoviq, u soll sërish në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Në gjykimin që po zhvillohet ndaj Trajkoviqit për krime lufte në Komunën e Vushtrrisë, ka filluar dëshminë Sylejman Mustafa nga Rrezniku.
70-vjeçari, teksa ka treguar për vrasjen e prindërve të tij më 16 prill të 1999-ës, ka thënë se të akuzuarin e njeh që nga fëmijëria.
Mustafa tha se Trajkovici ishte pjesëmarrës në vrasjen e një të moshuari më 17 prill të 1999-ës, kur forcat serbe kishin ndërmarrë një aksion në fshatrat e Vushtrrisë dhe përreth.
Por, ai gjatë kësaj seance nuk u ballafaqua me pyetjet e mbrojtjes, pasi avokatët pretendojnë se nuk është pajisur me disa shkresa që ndërlidhen me dëshmitarin.
Megjithëse, gjykata tha se do t’i trajtojë vetëm provat mbi të cilat mbështetet aktakuza, dëshmia e tij do të vazhdojë një ditë tjetër.
Trajkovic, i cili ishte pjesëtar i Policisë së Kosovës, deri në nëntor të 2022-tës, kur dha dorëheqje bashkë me zyrtarët e tjerë serbë, ishte arrestuar mes tensioneve në veri, në dhjetor të po të njëjtit vit.
Përveç për pjesëmarrje në vrasjen e civilëve dhe dëbimin e tyre, Trajkovic akuzohet edhe për dhunim seksual gjatë luftës.