Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës është deklaruar pas raportimeve se dy të rinj kosovarë janë arrestuar në Serbi.
Në një përgjigje zyrtare për ATV-në, nga MPJD-ja thonë se i kanë dërguar kërkesë Qeverisë së Serbisë për të marrë detaje mbi këtë rast, përfshirë identitetin e personave të arrestuar dhe lokacionin ku ata janë duke u mbajtur.
“Në lidhje me këtë rast, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi i ka dërguar tashmë Qeverisë së Serbisë, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, një kërkesë formale për ta konfirmuar rastin, si dhe për të ofruar detajet tjera relevante, përfshirë identitetin e personave të arrestuar dhe lokacionin ku ata janë duke u mbajtur”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së.
Po ashtu, MPJD-ja tha se lidhur me këtë rast janë informuar edhe ndërkombëtarët.
“Lidhur me këtë, janë njoftuar edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi dhe misionet diplomatike të vendeve të Kuint-it të akredituara në Beograd. Në momentin e konfirmimit, diplomatët e Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi do të bëjnë kërkesë zyrtare për vizitën e tyre në qendrën e paraburgimit ku ata janë duke u mbajtur”, deklaruan nga MPJD-ja.
LEXONI EDHE:
Raportohet se dy të rinj nga Podujeva janë arrestuar nga policia serbe