Përgatiti: Kastriot Tahiri
“Në 2017, Fahria është paditur…, kurse më 2019 aplikacioni ishte refuzuar”, kishte deklaruar Faton Peci.
Këto deklarime të ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, po i cilëson si njollosje ndaj saj dhe grave të Krushës, themeluesja e Kooperativës Bujqësore “Krusha”, Fahrie Hoti.
Për këto të pavërteta, Hoti thotë se ministri Peci duhet të kërkojë falje publike.
“Ministri Peci ka thënë se jam e paditur në gjykatë, mua asnjëherë nuk më ka ardhur asnjë ftesë, nuk e di ku e ka gjetur atë dosje. Kërkoj nga ministri të kërkojë falje për këtë jo vetëm njollosjen e Fahrijes, por edhe të gjitha gratë janë njollosë me këtë etiketim. Kërkoj nga Ministria të kërkojë falje publike e jo me shkrime e me video në rrjete sociale. Jo me u marrë me çështje personale me Fahrien, Fahria ka një adresë që e ka ndërtu me sakrificë e dhimbje e lot. Në rast se ka një aktakuzë, atëherë lë të ulet e le të bisedojmë”, tha Hoti.
Ditë më parë, Peci kishte shpërndarë edhe një dokument, për të cilin pretendon se pushtetet e kaluara i kanë kërkuar kooperativës kthimin e mjeteve që i fituan nga grantet.
Edhe këtë e mohoi Fahrije Hoti, duke thënë se nuk ka pranuar asnjëherë thirrje të tilla.
“Unë nuk kam pranuar asnjë thirrje për kthim të mjeteve, unë nuk i kthej mjetet, jo Peci por çdokush le të vijë nuk do i kthej ato mjete. Nga 2015 deri më sot nuk kemi marrë përkrahje, arsyeja ka qenë se ndoshta nuk kemi mbushur kriteret në 2015, ka vazhduar në 2017, 2023, kurrë më parë Koperativa s’ka qenë më e kompletuar se sot, duke marrë parasysh eksportin në vendet e BE-së, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Hoti.
Krejt këto reagime të Ministrit të Bujqësisë, erdhën pasi në medie u publikua se Blerim Pacolli, vëllai i deputetes Fitore Pacolli, dhe Naim Huruglica, këshilltar i ministrit, përfituan nga një grant prej 100 mijë eurosh secili, nga Ministria e Faton Pecit.
Por, pas reagimeve të shumta, rreth tyre, të hënën në media u publikua vendimi i Ministrit Peci, për pezullimin e granteve.