Nisma Socialdemokratike ka mbajtur sot Konventën për prezantimin e programit dhe kandidatët për deputetë, për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.
Në fillim të fjalës së tij, kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, tha se sot, jemi të lirë dhe mblidhemi në tubime si ky, falë sakrificës së dëshmorëve, invalidëve e veteranëve të luftës së UÇK-së.
“Prandaj, lë të kujtojme e nderojmë ata që me sakfrificën e tyre sollën lirinë: dëshmorët, invalidet e veteranët. Le të kujtojmë, ata që vazhdojnë edhe sot e kësaj ditë të paguajnë çmimin e lirisë, themeluesit e shtetit të Kosovës, Bacën Jakup e të tjerët. Le të kujtojmë e nderojmë UÇK-në”.
“E kemi parë që këto vitet e fundit, fatkeqësisht, vlerat më sublime të lirisë së vendit janë përbuzuar, dhe me këtë, jemi dëshmitarë që liria jonë ëshë kufizuar, sepse atakimi i vlerave të lirisë redukton lirinë. Prandaj, jemi sot këtu, që këto vlera t’i rikthejmë aty ku e kanë vendin, në tempullin e demokracise së vendit tonë, në Kuvendin e Kosovës, sepse sa më shumë ushtarë, veteranë e invalidë të UÇK-së në institucione aq më shumë liri për Kosovën, aq më shumë pavarësi për Kosovën, aq më shumë sovranitet për Kosovën”.
“Këta arroganta në pushtet, kanë mbjellë urrejtje dhe krijuar pëçarje në shoqërinë tonë“
Kreu i Nismës, Limaj, ka akuzuar pushtetin aktual se kanë krijuar përçarje në shoqëri, duke mohuar të arriturat e mëdha të Kosovës.
“Më lejoni të ju pyes, si ka mundësi, që një pushtetar aktual, rrugës nga Prishtina për në Prizren, në autostradën ‘Ibrahim Rugova’ në makina lluksi, me xhipa të zi e mbrojtje të afërt të thotë që ‘Kosova është shkatërruar’ se këtu “nuk ka ndodhur asgjë në 20 vite”. A nuk është kjo marrëzi”?!
Sikur kjo të mos mjaftonte, këta arroganta në pushtet, për vite me rradhë kanë mbjellë urrejtje në shoqërinë tonë, kanë krijuar përçarje, duke tentuar që të marrin në krah ‘flamurin e patriotizmit’, e kush, ata që kanë kundërshtuar çdo proces që ka sjellë lirinë dhe pavarsinë e vendit”, ka vazhduar Limaj.
“E mira e gjithë kësaj është, pjekuria e shoqërisë sonë, vlera që është krijuar me shumë mund në këtë vend, atë që këta, me gjithë përpjekjet nuk ia arritën ta prishin, vlerën që na bashkon ne me miqtë e aleatët, ata që na ndihmuan në çlirimin dhe pavarësimin e vendit”.
Haradinaj: Fatmir, po më doket era fitore po vjen!
Partneri i Limajt, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se koalicioni AAK-Nisma dhe konservatorët garanton anëtarësimin e vendit në NATO.
“Kryetar, Fatmir, po më doket era fitore po vjen”, tha Haradinaj.
“Anëtarësimi në NATO, anëtarësimi direkt përmes planit aksional, e bën kthesën e madhe, jo vetëm të sigurisë, por edhe ekonomike dhe në të gjitha drejtimet e tjera të jetës. Ju sigurojmë që do ta bëjmë realitet. Jo veç me e thënë, po kemi me e bë”, tha Haradinaj.