Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Departamentit të Politikave të Zhvillimit Rural në MBPZhR, Lulzim Shamolli, ka thënë për Ekonomia Online se së shpejti do të hapet thirrja për sigurimet bujqësore.
Shamolli ka thënë se këtë vit kanë rritur buxhetin për grante, e cila shkon në mbi 25 milionë euro, pa e përfshirë edhe mbështetjen organizata gjermane GIZ.
“Realisht në këtë vit shumë shpejt do ta bëhet publik programi i zhvillimit rural, që zakonisht përfshinë masën 1, 3, 7 dhe paraqet një vlerë prej 20 milionë e 200 mijë euro. Krejt në fund është masa 5 ndërsa si risi për këtë vit do të jetë një masë e re e cila quhet masa e sigurimeve bujqësore. Realisht buxheti i planifikuar për këtë vit për grant do të jetë rreth 25 milionë euro. Pa e përfshirë edhe mbështetjen e GIZ-it që është 10 milionë euro. Ndërsa çështja e subvencioneve është çështje tjetër që bëhet për çdo vit dhe jepet për njësi prodhimi”, ka thënë Shemolli.
Ai ka thënë se përkrahja për fermerët është e madhe pasi këtë vit është rritur edhe buxheti për sektorin e bujqësisë.
“Zakonisht masa që më së shumti përfiton në bujqit është masa 1 që ndërlidhet me sektorin primar dhe ka të bëjë me sektorin e bujqësisë dhe zakonisht buxheti sillet rreth 16 milionë euro, vetëm në këtë masë. Po ashtu e kemi dhe masën tjetër masën 3 që është masa agro-përpunimit, dhe në këtë masë vlera e buxhetit sillet rreth 3 milionë e 500 mijë deri në 5 milionë euro”, theksoi ai.
Shamolli ka thënë se si shkak i përkrahjes së fermerëve, Kosova për herë të parë ka plotësuar nevojat për grurë, ndërsa për herë të parë ekzistojnë dy produkte të reja që mbështeten nga Ministria me grante.
“Në aspektin e rritjes së prodhimit ne kemi një rritje solidë të prodhimit, për shembull që për herë të parë Kosova në vitin 2024 i plotëson nevojat me grurë, po ashtu një sektor që ka rritje të prodhimit është edhe sektori i shpezëve, që për vezë plotësojmë 100 për qind rritje, kemi një rritje të perimeve kur fermerët tanë kanë arritur të eksportojnë edhe jashtë vendit. Rritje kemi edhe tek pemët, për shembull është një element që duhet të përmend që kemi dy produkte të reja që po prodhohen shumë në Kosovë, është arra edhe gështenja që janë Ministria e mbështet me grante”, përfundoi Shemolli.