Komisioni Evropian ka goditur Metën, kompaninë mëmë të Facebook, me një gjobë masive prej 797.72 milionë euro (841 milionë dollarë) për shkeljen e rregulloreve antitrust të BE-së.
Sipas komisionit, Meta rriti padrejtësisht shërbimin e saj të reklamave të klasifikuara në internet, Facebook Marketplace, duke e lidhur direkt me aplikacionin kryesor të Facebook.
Ai përmendi gjithashtu vendosjen nga Meta të “kushteve të padrejta të tregtimit” ndaj ofruesve të tjerë të reklamave të klasifikuara në internet.
Rrjeti social kryesor i Metës, Facebook, përfshin automatikisht Facebook Marketplace, i cili lejon përdoruesit të blejnë dhe shesin mallra. Ky konfigurim nënkupton që të gjithë përdoruesit e Facebook marrin qasje në Marketplace pa pasur nevojë të regjistrohen për të, duke i dhënë Marketplace një avantazh të padrejtë ndaj shërbimeve konkurruese.
BE-ja tha se kjo lidhje automatike e bën më të vështirë për shërbimet e tjera të reklamave të klasifikuara në internet të konkurrojnë pasi ato nuk kanë të njëjtën shtrirje.
Komisioni zbuloi gjithashtu se Meta vendosi kompanitë e tjera të reklamave në internet në disavantazh duke përdorur të dhënat nga reklamat e tyre në Facebook dhe Instagram për të përfituar vetëm Facebook Marketplace. Kjo i dha shërbimit të Metës një levë shtesë mbi rivalët e saj, duke e bërë edhe më të vështirë për konkurrentët që të vazhdojnë.
Krahas gjobës, Komisioni Europian urdhëroi Metën që të ndalojë menjëherë këto praktika dhe të shmangë veprime të ngjashme në të ardhmen./AA