Këngëtarja Tayna, në një intervistë të fundit, shpalosi shumëçka rreth jetës private dhe profesionale.
Sigurisht që ajo rrëfeu edhe për periudhën kur u prishën raportet me ish-menaxherin Rinor Hykollin. Mes të tjerash, ajo mohoi që ka pasur lidhje dashurie me të, duke theksuar se ai, për të, ka qenë si vëlla i madh. Tayna tregoi se nuk u distancua vetëm nga muzika, por edhe nga shoqëria dhe një pjesë e familjes.
Sidoqoftë, ky vit mbase mund të themi se ishte i Taynës. Pas një periudhe gjashtëmujore mungese nga rrjetet sociale dhe aktivitetet muzikore, Tayna ka rikthyer çdo vëmendje. Disa muaj më parë, një pjesë e madhe e publikut u habit kur ajo u shfaq sërish në Instagram, duke paralajmëruar se kishte diçka të re për fansat e saj.
Momenti më i vështirë për të doli të ishte ngjarja që ndodhi me këngën e saj “Si Ai”. Ish-menaxheri ia bllokoi këngën menjëherë dhe, për një muaj, kënga nuk figuronte askund, një situatë që shkaktoi tensione të mëdha. Megjithatë, pasi ranë dakord, Tayna dhe ish-menaxheri i saj arritën të sqarohen, duke zhbllokuar “Si Ai” dhe, në këtë mënyrë, rikthyen rrugën e saj drejt suksesit.
Pas publikimit, “Si Ai” u bë një nga këngët më të dëgjuara, duke kaluar jashtë kufijve të Kosovës dhe Shqipërisë dhe duke arritur audienca ndërkombëtare. Gjatë kohës që kënga ishte e bllokuar, fansat e saj të përkushtuar u angazhuan në mënyrë krijuese për ta mbështetur. Ata përdorën platformën TikTok për të shpërndarë fragmente të këngës në videot e tyre, gjë që rriti ndjeshëm interesimin publik dhe e bëri këngën më të dëgjuar.
Vetëm pak muaj më parë, “Si Ai” arriti të renditet në vendin e dhjetë në listën globale të 200 këngëve më të kërkuara, një arritje e shkëlqyer për një artiste shqiptare.
Tayna ka ndarë me fansat e saj arritjet e jashtëzakonshme në platformën muzikore Spotify për vitin 2024, me mbi 7.21 milionë dëgjues, duke konfirmuar popullaritetin dhe përhapjen e saj globale. 101 milionë transmetime gjatë vitit janë dëshmi e ndikimit të muzikës së saj, duke u bërë pjesë e përditshmërisë së miliona njerëzve. Ndërkohë, këngët e saj janë dëgjuar për gjithsej 4.38 milionë orë.E dëgjuar në 182 vende, Tayna ka arritur të përhapë tingujt e këngëve të saj në shumë vende të botës.
Rikthimi i Taynës është një dëshmi e forcës së saj si artiste dhe lidhjes së saj me fansat, të cilët nuk kanë hezituar t’i qëndrojnë pranë gjatë sfidave. Tani, duke u kthyer me energji të re dhe projekte të reja, Tayna po shkon përpara, duke e shikuar të ardhmen me optimizëm./ NO FILT/