​Kosova do të aplikojë për marrjen e statusit vend-anëtar me të drejta të plota në APF

Kosova do të aplikojë sërish për marrjen e statusit vend-anëtar me të drejta të plota në Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë, tha kryeministri Albin Kurti. Ai tha se një gjë e tillë do të ndodh në samitin e asamblesë në vitin 2026.

Kreu qeveritar, në seancën solemne të hapjes së sesionit të 36-të të Asamblesë Rajonale të Evropës (ARE), pjesë e Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë (APF), që po mbahet në Kosovë, tha se bota frankofone duhet të jetë më e pranishme në Kosovë.

Kosova aktualisht është anëtare e asociuar në Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë. Për tu bërë anëtare e plotë, APF merr edhe vlerësime politike që ndërlidhen me kriteret e marrëdhënieve të mira fqinjësore. Kosova kishte aplikuar edhe në vitin 2018 për t’u bërë anëtare në APF, mirëpo kjo iniciativë nuk kishte rezultuar me sukses.

“Në pritje të samitit të ardhshëm të vitit 2026, kur Kosova synon të aplikojë sërish për marrjen e statusit të anëtarit me të drejta të plota. Qeveria jonë dhe komunat e Kosovës duhet të fillojnë të punojnë së bashku për të gjetur një mënyrë për të adresuar rënien e orëve të mësimit të gjuhës frënge në mbarë vendin. Ky duhet të jetë hapi i parë duke ditur se mund të llogarisim në përkrahjen e Institutit Francez të Kosovës, të porsa formuar në Prishtinë për të identifikuar së bashku mënyrat më praktike të suksesit”, tha ai.

Krahas kësaj, Kurti duke folur për nevojën e demokracisë, temë e samtit, tha nuk mund të ketë demokraci të mirëfilltë pa trajtuar në mënyrë efektive manipulimin e informacionit dhe sulmet kibernetike.

“Në luftën aktuale hibride e globale në të cilën po jetojmë, nuk mund të ketë demokraci të mirëfilltë, prosperitet për të gjithë dhe bashkëpunim të duhur, pa trajtuar në mënyrë efektive manipulimin e informacionit dhe sulmet kibernetike. Dhe këtu do të mësoni se nuk bën përjashtim as Kosova si cak i sulmeve të tilla”, theksoi Kurti.

Në anën tjetër, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se vendi synon t’i forcojë më tej lidhjet kulturore dhe gjuhësore me vendet frankofone.

Ai përmendi edhe mbështetjen e APF për sulmin terrorist serb vitin e kaluar në Banjskë të Zveçanit.

“Tani me avancimin e statusit tonë brenda Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë që nga viti 2022, synimi ynë është që t’i forcojmë edhe më tej lidhjet kulturore dhe gjuhësore të Kosovës me vendet të tjera frankofone, duke promovuar shkëmbimin kulturor dhe iniciativat tona bashkëpunuese. Vendosmëria e institucioneve të Kosovës për të përkrahur shtrirjen e frankofonisë edhe në Kosovë, për të forcuar edhe pasuruar edhe më tej gjuhësinë dhe multikulturarizmin dëshmohet edhe përmes shumë ngjarjeve kulturore, që organizohen në vazhdimësi me partnerët tanë frankofon që janë të pranishëm në Kosovë. Organizimi i këtyre aktiviteteve është dëshmi se lidhjet e Kosovës me vendet frankofone janë evidente dhe shumë miqësore…Dua të shfrytëzojë këtë rast që t’iu falënderoj juve për mbështetjen që i keni dhënë amendamentit tonë, të propozuar vitin e kaluar nga delegacioni ynë për të dënuar sulmin terrorist në veriun e Kosovës. Synimi ishte parandalimi i destabilizimit dhe kërcënimit të sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit tonë”, deklaroi Konjufca.

Ndërkaq, kryesuesja e delegacionit të Asamblesë Rajonale të Evropës, pjesë e Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë (APF), senatorja belge Anne Lambelin, tha se qëllimi i asamblesë nuk është të imponojë demokracinë, por ta mbrojnë atë.

“Qëllimi ynë nuk është të imponojmë demokracinë, por ta mbrojmë atë, jo për të rinvendosur dominimin, por për të përgatitur për të ardhmen. Tani është koha për të vepruar. Jemi në një pikë kthese në historinë tonë. Në një kohë të shkurtër, Evropa është tronditur nga kriza e paprecedentë, kriza ekonomike e vitit 2008, pandemia në vitin 2020, lufta në Ukrainë, kriza klimatike e cila ende vazhdon”, theksoi Lambelin.

Fjalën e mori edhe, kryesuesi i delegacionit të Përhershëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës në APF, Dimal Basha, cili tha se Kosova do të angazhohet për të mbrojtur dhe promovuar demokracinë dhe të drejtat e grave.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA