Përgatiti: Kastriot Tahiri
Për 36 shkolla në komunën e Vushtrrisë, të angazhuar janë vetëm 8 psikologë.
Nevoja për praninë e tyre në shkolla vlerësohet të jetë e madhe, megjithatë rritjen e numrit të psikologëve, kjo komunë thotë se e ka të pamundur, për shkak të kufizimeve të Ministrisë së Arsimit, për punësim.
“Ministria para se me bë thirrje duhet me ua mundësu komunave rritjen e numrit të punësuarve në listën e pagave. Numri nuk është i mjaftueshëm, edhe shkollat kanë nevojë urgjente për psikolog, por kemi problem me kufizimin e punëtorëve që e ka caktu ministria e arsimit, për pranimin e psikologeve të reja”, tha Alabnez Tahiraj nga DKA Vushtrri.
Numër po kaq të vogël të psikologëve në shkolla, ka edhe komuna e Hanit të Elezit.
Për pesë shkolla sa numëron gjithsej kjo komunë ka vetëm një psikolog.
As në këtë komunë për këtë vit nuk planifikohet hapja e ndonjë konkursi.
“Për vitin 2025, Kemi planifiku nga janari kemi me hap konkursin për psikolog, nevoja është e madhe, do të ishte e duhur që çdo shkollë me pas nga një psikolog”, tha Hisni Luri nga DKA Hani i Elezit.
Edhe në Komunën e Kamenicës ka të punësuar pak psikologë, krahasuar me numrin e institucioneve shkollore.
Mirëpo, situatë krejt ndryshe qëndron në Komunën e Pejës. Sipas Drejtorisë së Arsimit, mbi 20 psikologë janë të punësuar.
Duke pasur parasysh shëndetin mendor, por edhe ndikimin e teknologjisë, përfshirja e psikologëve në shkolla vlerësohet e domosdoshme.
“Tu e pas parasysh shëndetin mendor të fëmijëve, përdorimin e substancave, një varësi prej teknologjisë, shto faktin edhe performanca akademike, sa më shumë kohë që kalon rëndësia e psikologëve në shkolla po bëhet më e madhe”, tha Naim Telaku, psikolog.
Kërkesa nga Ministria e Arsimit, për rekrutim të psikologëve e pedagogëve, erdhi pas rasteve të vetëlëndimit të nxënëseve, në komunën e Gjakovës e në atë të Kamenicës.
Megjithatë, ende nuk dihet, nëse ka ndonjë komunë që i është përgjigjur pozitivisht ftesës së MASHTI-t, ngase zyra për informim e këtij dikasteri nuk ktheu përgjigje ATV-në.