Kosova nën “ethet” e zgjedhjeve në ShBA, cili kandidatë është më i favorshëm për vendin?

Kosova po përcjell me vëmendje të madhe zgjedhjet e sotme presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Drejtimi i politikës amerikane konsiderohet se do të ketë ndikim të rëndësishëm për të ardhmen e vendit. Njohësit politikë në Kosovë ofrojnë perspektiva të ndryshme mbi atë se kush është kandidati më i favorshëm për Kosovën. Në garë të ngushtë për president të 47-të të ShBA-së janë kandidatja demokrate, Kamala Harris dhe kandidati republikan, Donald Trump.

Analisti politik, Arbnor Sadiku, thotë për KosovaPress se për Kosovën kandidatja Kamala Harris është më e favorshme për presidente të ShBA-së.

Sipas tij, kandidati republikan, Donald Trump është një personalitet atipik dhe nuk dihet se cili do të jetë roli i tij në politikën botërore, duke përfshirë edhe Kosovën.

Ai vë në pah rrezikun që nën administratën Trump të rikthehet ideja e korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Për Kosovën kandidate më e përshtatshme dhe kapshme për rrethanat e Kosovës është zonja Harris. Ajo rrjedh nga Partia Demokratike dhe ka një estabilishment dhe në Departamentin e Shtetit që e njohin mirë çështjen e Kosovës, siç është i deleguari për dialogun O’Brien. Kurse në rast që fiton zotëri Trump është një personalitet atipik, që askush nuk e dinë se cili do të jetë roli i tij për politikën botërore dhe regjionale duke përfshirë edhe Kosovën. Ajo çka kanë thënë këshilltarët e tij, sikurse zotëri Bolton më parë është rreziku për kthimin e serishëm të projektit për korrigjim të kufijve që ka qenë më parë”, thotë ai.

Mirëpo, diplomati, Blerim Canaj, nuk pret ndryshim të politikës së jashtme amerikane karshi Kosovës, pavarësisht ardhjes në pushtet të Donald Trump apo fitores së Kamala Harris.

Madje, ai thotë për KosovaPress se kandidati republikan, Trump mund të jetë më i hovshëm në vendimmarrje.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë faktikisht shtet me traditë, politika e jashtme e secilës nuk varet nga një kandidat apo një tjetër. Natyrisht mund të jetë që njëri kandidat të jetë më i hovshëm në vendimmarrje, në këtë rast Donald Trump dhe tjetri kandidat mund të jetë më i ngadalshëm. Mirëpo prioritetet në strategjinë afatgjate të Shteteve të Bashkuara të Amerikës as në raport me Kosovën dhe me shtetet të tjera nuk ndryshojnë. Kështu që nuk e besoj se do të ketë kushedi çfarë ndryshimi të madh, përveç ecurisë të shpejtë apo më të ngadalshme të marrjes së vendimeve”, thekson Canaj.

Qytetarët amerikanë janë duke votuar për të zgjedhur presidentin e ri. Kandidates demokrate Kamala Harris dhe atij republikan Donald Trump u duhen nga 270 vota elektorale për të fituar.

Zgjedhjet e sotme presidenciale në ShBA i komentoi edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tha se Kosova është e bekuar që ka përkrahjen e SHBA-së, si nga demokratët ashtu edhe nga republikanët.

Osmani nënvizoi se ShBA-ja është aleati strategjik i Kosovës dhe do të vazhdojë të jetë i tillë edhe pas zgjedhjeve presidenciale./KP

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA