50 Cent zbulon pse refuzoi ofertën 3 milionë dollarëshe nga Donald Trump

50 Cent, ka zbuluar se ka refuzuar një ofertë prej 3 milionë dollarësh nga kandidati republikan për president, Donald Trump, për të performuar në një tubim në New York. Edhe pse më parë kishte shprehur vlerësim për ish-presidentin, 50 Cent ka diskutuar për këtë ofertë në emisionin “The Breakfast Club,” raporton “The Guardian.” Ai konfirmoi se kishte marrë një telefonatë ku i kërkohej të performonte këngën e tij të njohur, “Many Men,” në ngjarjen politike të organizuar nga Trump.

“Dëgjova ftesën, por nuk e zhvillova më tej bisedën. Politika më frikëson, sepse sapo hyn në të, dikush do të jetë kundër teje, pavarësisht se çfarë mendon,” tha 50 Cent.

Kënga “Many Men (Wish Death),” e publikuar në vitin 2003 me videoklip, përmban referenca ndaj një sulmi të armatosur ndaj reperit në vitin 2000. Kjo këngë u bë një lloj “himni” për disa mbështetës të Trumpit, pas një incidenti të ngjashëm që ndodhi në korrik. Për pasojë, kënga u popullarizua përsëri dhe arriti në top 10-shen e “iTunes” dhe platformave të tjera. 50 Cent gjithashtu publikoi një version të edituar të kopertinës së albumit të tij, ku shfaqej fytyra e Trumpit.

“Kur thotë ‘lufto,’ kjo është pikërisht ajo që bëra pas sulmit që përjetova. Njerëzit shohin aty një paralelizëm,” shpjegoi reperi.

Në fillim të këtij viti, 50 Cent kishte shprehur në rrjetet sociale mendimin e tij se Trump mund të rikthehet në krye të Shtëpisë së Bardhë, duke shtuar: “por nuk dua ta them publikisht.”

Në të njëjtën kohë, 50 Cent po punon për një dokumentar mbi reperin P.Diddy, duke eksploruar akuzat e shumta për krime seksuale që rëndojnë mbi të. Ky dokumentar pritet të shfaqet në platformën “Netflix.” P. Diddy, emri i vërtetë i të cilit është Sean Combs, aktualisht mbahet në paraburgim në Brooklyn, New York, pas një sërë padish për krime seksuale të ngritura kundër tij, ku edhe kërkesat për lirimin me dorëzani janë refuzuar disa herë.

Në tubimin e Trumpit në Madison Square Garden, u shfaqën edhe fytyra të njohura si ylli i arteve marciale Hulk Hogan dhe personaliteti televiziv Dr. Phil. Ngjarja shkaktoi reagime të shumta për shkak të komedianit Tony Hinchcliffe, i cili bëri komente ofenduese, duke përmendur Puerto Ricon si “ishull plehrash lundruese.” Shakatë e tij shkaktuan reagime të forta nga të famshëm me prejardhje latine si Jennifer Lopez, Ricky Martin dhe Bad Bunny, që mbështesin kundërshtaren e Trumpit, Kamala Harris.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA