Sot shënohet 27-vjetori i nisjes së ndërhyrjes ajrore të NATO kundër objektivave ushtarake dhe policore serbe në ish-Jugosllavi.
Më 24 mars 1999, Aleanca Veri-Atlantike filloi fushatën e bombardimeve me qëllim ndalimin e dhunës dhe krimeve që po kryheshin ndaj popullit të Kosovës. Kjo ndërhyrje u konsiderua si një hap i domosdoshëm për të frenuar përshkallëzimin e situatës në vend.
Në të njëjtën ditë, presidenti i atëhershëm i Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, iu drejtua qytetarëve amerikanë, duke shpjeguar arsyet pse ndërhyrja ushtarake ishte e nevojshme.
Fjalimi i tij mbetet një nga momentet kyçe që shpjegon vendimin për ndërhyrjen ndërkombëtare në Kosovë.
“Sot forcat tona iu bashkuan NATO-s kundër forcave serbe që janë përgjegjëse për brutalitetin në Kosovë. Po veprojmë për t’i mbrojtur mijëra njerëz të pafajshëm në Kosovë nga ofensiva ushtarake, po veprojmë për ta parandaluar një luftë më të gjerë”, kishte thënë ai.
Ai pati shpjeguar për audiencë botërore se Serbia agresore ishte mospërfillëse edhe kur liderët kosovarë, gjatë kohës kur kosovarët po vriteshin, ishin pajtuar për paqe.
“Për vite me radhë kosovarët ishin munduar paqësisht që të rifitonin të drejtat e tyre, kur Millosheviqi i dërgoi trupat e tij që t’i shtypte, kjo përpjekje u bë e dhunshme. Ne propozuam një marrëveshje të paqes që liderët kosovarë e nënshkruan, megjithëse nuk i dha gjithçka që donin ndërsa serbët refuzuan edhe të diskutojnë. Kjo nuk ishte luftë në kuptimin tradicional, ishte sulm me tanke e artileri ndaj njerëzve që në masë të madhe ishin pa mbrojtje, liderët e të cilëve u pajtuan për paqe”, ka shtuar Clinton./rtk






