Në vendin ku 24 vjet më parë forcat serbe vranë pesë anëtarë të familjes Kastrati në Pejë, familjarë, miq, e zyrtarë të lartë shtetërorë bënë homazhe e vunë kurora lulesh.
Lendita Kastrati-Kelmendi, vajza e njërit prej të vrarëve kujtoi 28 majin e vitit 1999 si një ndër ditët më të tmerrshme të jetës së saj.
“28 maji i vitit 1999-të ka qenë një ditë e tmerrshme për familjen time dhe të Kastratit. Jemi krenar që sot falë gjakut të tyre, ne e gëzojmë lirinë. Dhashtë zoti që ato vite të mos përsëriten asnjëherë”, tha Kastrati-Kelmendi.
Po ashtu, në 24 vjetorin e rënies së heroit të kombit Mensur Zyberaj, në Rahovec u mbajt një organizim përkujtimor.
Kryetari i kësaj komune, Smajl Latifi, tha se 28 maji është skalitur me shkronja gjaku në historinë e qytetarëve të Rahovecit.
Ndërsa, në qendrën kulturore, që mban me krenari emrin e heroit Mensur Zyberaj, interpretoi në kujtim të babait të saj vajza e heroit, Flaka Zyberaj. /atvlive.tv