Përgatiti: Besmire Kluna
Naile Ismaili nga Prishtina, disa herë brenda ditës lëshon çezmën me shpresën se do të ketë ujë.
Ismaili e fqinjët e saj, që jetojnë në rrugën “Ndue Përlleshi”, me këtë situatë po përballen tash e një muaj.
“Nuk kemi pasur ujë gjysmë ore, një orë, përgjigjja e tyre tipike është, se i kam edhe dëshmitë që ju kom shkru në viber, janë ekipet teknike merren, ju kthehet furnizimi. Unë jetoj në katin e 10-të as uji nuk më vjen edhe kur lëshohet’’, tha Ismaili.
Në rast se nuk bëhet një zgjidhje, banorët paralajmërojnë protestë.
“Kemi problem me ujë, nuk kemi non stop, gjatë natës na ndalet. I kemi thirrë ata shpesh, nuk na kanë dhanë përgjigje, krejt kojshitë përreth kishin ujë. Kërkesa jonë është me pas ujë 24 orë. Para një kohe kemi pasur, tash po kemi probleme”, tha Muhamet Ramadani, përfaqësues i banorëve.
Nga KRU “Prishtina” thonë se nuk aplikojnë reduktime, ndërkaq ankesat e banorëve të kësaj rruge i arsyetojnë me “mbushje automatike të rezervuarit”.
‘’Në rrugën ‘’Ndue Përlleshi’’, kemi pasur ankesa se nuk ka ujë, sidomos gjatë orëve të natës e kjo mund të vijë si shkak i rezervuarit që furnizohen me ujë të pijshëm, sepse ata kanë sistem automatik moment që zbrazet rezervuari derisa të mbushet atëherë ndërpritet uji sidomos gjatë orëve të natës, besojmë që kjo do të kalojë sa më shpejt, ndërkaq reduktime si ujësjellës nuk jemi duke aplikuar. Shpeshherë mund të ketë edhe ankesa nga ana e qytetarëve që dikush po manipulon me valvulat e rrjetit”, tha Arjeta Mjeku, zëdhënëse e ujësjellësit “Prishtina”.
Lagjja Mati 1, nga sezoni i verës po përballet me këtë problematikë.