Zgjedhja numër një e Draftit të NBA-së për këtë vit, Cooper Flagg, ka hyrë në histori në ligën më prestigjioze të basketbollit botëror.
Vetëm 18 vjeç, Flagg u konsiderua si një talent i rrallë që para se të zbriste në parket, ndërsa Dallas Mavericks e përzgjodhën atë të parin në Draft. Dhe ai nuk vonoi të tregonte pse ishte kaq i kërkuar. Në orët e para të mëngjesit të së martës, në përballjen ndaj Utah Jazz, i riu amerikan shkëlqeu duke dhënë një paraqitje të jashtëzakonshme.
Flagg u shndërrua në figurën kryesore të Dallasit duke realizuar plot 42 pikë, një arritje historike që e bën atë 18-vjeçarin e parë që shënon mbi 40 pikë në një ndeshje NBA. Me këtë paraqitje, ai theu rekordin e LeBron James, i cili në vitin 2001 kishte shënuar 41 pikë si 19-vjeçar me Cleveland Cavaliers.
Flagg që do të festojë ditëlindjen e 19-të pas vetëm pesë ditësh, ishte protagonisti absolut i një ndeshjeje spektakolare mes Dallasit dhe Utah, e cila u mbyll me fitoren e Jazz 140:133 pas kohës shtesë.
Ylli i ri i Mavericks realizoi 42 pikë me 13 nga 27 gjuajtje nga loja. Përveç pikëve, Flagg kontribuoi edhe me shtatë kërcime, gjashtë asistime, dy bllokada dhe një rrëmbim topi.






