Afër 14 mijë njerëz që jetojnë në qytetin lindor polak të Lublinit janë evakuuar pasi një bombë e pashpërthyer u gjet në qytet.
Një përfaqësues i zyrës së kryetarit të qytetit tha se do të organizohen autobusë për të çuar të evakuuarit në një stadium lokal dhe janë bërë rregullime të veçanta për personat me aftësi të kufizuara dhe ata që kanë nevojë për kujdes.
Zyra e kryetarit tha se pjesa e prekur e qytetit do të mbyllet plotësisht për trafikun nga ora 11:30 e mëngjesit të premten dhe transporti publik do të ndryshohet, shkruan AA.
“Të gjitha njësitë tona janë në gatishmëri dhe po punojnë ngushtë me policinë dhe ushtrinë, si dhe brigadën e zjarrfikësve, të gjitha shërbimet përgjegjëse për të gjithë procesin e sigurimit dhe asgjësimit të municioneve,” tha Krzysztof Zuk, kryetari i Lublinit në një konferencë për shtyp, duke shtuar se situata ishte “nën kontroll të plotë”.
Një punëtor ndërtimi të enjten hasi në bombën ndërsa po punonte dhe më pas zona u rrethua nga policia dhe u thirrën ekspertë të asgjësimit të bombave të ushtrisë.
Bomba e pashpërthyer u gjet në vendin e një fabrike avionësh të para Luftës së Dytë Botërore. Gjatë luftës, vendi u përdor si burg për robërit e luftës dhe si kamp pune.