Policia Rajonale e Ferizajt ka shqiptuar 1.511 gjoba kundërvajtëse dhe ka pezulluar 43 patentë shoferë gjatë javës së kaluar, si pjesë e aktiviteteve për parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në komunikacion.
Sipas njoftimit të Policisë, masat janë ndërmarrë gjatë periudhës 6-12 korrik 2026, ndaj shoferëve që kanë kryer shkelje të rënda të rregullave të trafikut.
Gjatë kësaj periudhe, në rajonin e Ferizajt janë regjistruar gjithsej 42 aksidente, prej të cilave 23 kanë qenë me persona të lënduar, ku janë lënduar 31 persona, ndërsa 19 aksidente kanë përfunduar vetëm me dëme materiale.
“Policia Rajonale e Ferizajt ka ndërmarrë një sërë aktivitetesh për parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor”, thuhet në njoftimin për media.
Policia ka bërë të ditur se do të vazhdojë me aktivitete të shtuara për rritjen e sigurisë në trafik, ndërsa u ka bërë apel shoferëve që të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të tregojnë kujdes gjatë drejtimit të automjeteve.
Po ashtu, qytetarët janë ftuar të bashkëpunojnë me Policinë dhe të raportojnë çdo kundërvajtje në trafik përmes stacionit më të afërt policor, aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë” ose numrit kujdestar 192.





