Sulmuesi shqiptar Andi Zeqiri ka kompletuar transferimin e tij te klubi polak Widzew Łódź, që garon në elitën e futbollit në Poloni.
Pas një periudhe të kaluar në Belgjikë me skuadrën Genk, Zeqiri tani nis një kapitull të ri në karrierën e tij, ku do të luajë përkrah reprezentuesit të Kosovës, Dion Gallapeni.
“Në mbyllje të afatit kalimtar, Widzew Łódź ka nënshkruar me një tjetër lojtar – sulmuesin zviceran Andi Zeqiri, i cili vjen nga KRC Genk si transferim i përhershëm”, thuhet në njoftimin zyrtar të klubit polak.
Zeqiri iu bashkua Genkut në vjeshtën e vitit 2023, pas një transferimi nga skuadra angleze Brighton & Hove Albion. Gjatë kohës së tij në Belgjikë, ai u huazua edhe te Standard Liège, ku pati paraqitje të mira.
Statistikat e sezonit të kaluar:
• 23 ndeshje
• 9 gola
• 3 asistime
Në total, Zeqiri numëron 45 paraqitje në elitën belge, me 14 gola dhe 3 asistime.
Ai është gjithashtu pjesë e kombëtares së Zvicrës, ku ka luajtur në të gjitha grupmoshat. Me ekipin U21, ka regjistruar 16 paraqitje dhe 1 gol, ndërsa në total në nivelet e moshave ka shënuar 28 gola.
Zeqiri luan kryesisht si qendërsulmues, por është aktivizuar edhe në krahun e djathtë dhe të majtë të sulmit. Ai është 185 cm i gjatë dhe luan me këmbën e majtë.