Barcelona konfirmon mungesën e Lamine Yamalit ndaj Sabahut

Barcelona do të duhet të përballet me Sabahun në Ligën e Kampionëve pa një prej futbollistëve më të rëndësishëm të skuadrës, Lamine Yamal.
Talenti spanjoll nuk do të udhëtojë drejt Azerbajxhanit për sfidën e së mërkurës, pasi drejtuesit e klubit kanë vendosur t’i japin kohë për rikuperim të plotë nga shqetësimet në kyçin e djathtë të këmbës.
Reklamë
Yamal pësoi këtë shqetësim gjatë fitores 3-2 ndaj Villarrealit të dielën, ndërsa Barcelona ka konfirmuar se mungesa e tij ndaj Sabahut është masë parandaluese.
“Lojtari i ekipit të parë, Lamine Yamal, ka shqetësime të lehta në kyçin e djathtë të këmbës. Si masë parandaluese, ai do ta humbasë ndeshjen ndaj Sabahut dhe do të jetë në dispozicion për takimin e së dielës së ardhshme kundër Deportivos”, thuhet në njoftimin e klubit.
Pavarësisht problemeve fizike, sulmuesi i ri ishte aktiv për të gjitha 90 minutat ndaj Villarrealit. Gjatë asaj ndeshjeje, ai fillimisht dështoi të realizonte nga pika e bardhë, por më pas asistoi për Fermin Lopezin në golin e barazimit 2-2.
Yamal nuk do të jetë mungesa e vetme e Barcelonës për këtë përballje, pasi jashtë ekipit do të mbeten edhe Xavi Espart dhe Roony Bardghji, të cilët po ashtu po vuajnë nga lëndimet.
Ndërkohë, gjendja e Pau Cubarsit, Andreas Christensenit dhe Rodrit mbetet ende e paqartë, me të tre futbollistët që janë në dyshim për ndeshjen ndaj skuadrës azere.
Barcelona shpreson që Yamal të rikuperohet në kohë për t’u rikthyer në dispozicion të ekipit për sfidën e fundjavës.
Reklamë







