ZRRE-ja bën përshtatje, refuzon kërkesën e KESCO-s për ngritje tarifash

Përgatiti: Fatlum Jashari

Në hapin e parë, Zyra e Rregullatorit për Energji ka hedhur poshtë propozimin e KESCO-s për ngritje të sërishme tarifave.

Në raportin konsultativ si përgjigje ndaj aplikimit të KESCO-s për të hyrat e lejuara maksimale, Rregullatori refuzoi kërkesën rritjen e hyrave – e cila do të përbënte barrë të re për konsumatorët.

Por kjo nuk është finale, pasi procesi vijon me hapjen e komenteve nga palët deri më 21 Shkurt.

“Të hyrat e Lejuara Maksimale caktohen në nivelin që mundëson të licencuarit e rregulluar t’i mbulojnë kostot e arsyeshme operative dhe të mirëmbajtjes së aseteve të tyre dhe të realizojnë kthim të arsyeshëm në investimet e tyre”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së.

Referuar praktikave nga e kaluara, eksperti i energjisë, Naim Bujupi, nuk pret që raporti përfundimtar të ndryshojë.

“Të hyrat maksimale në bazë të kërkesës së KESCO-s janë rreth 410 milionë euro, ndërsa ato të propozuara nga ZRRE-ja janë diku 401 milionë euro. Nëse i krahasojmë me të hyrat e lejuara maksimale të vitit të kaluar, kemi një diferencë diku 3 milionë euro, që i bie që praktikisht nuk do të ketë rritje ose një rritje shumë e vogël”, tha Bujupi.

Referuar faktorit korrigjues nga viti paraprak në vlerë 25 milionë euro, Bujupi sqaroi se ZRRE-ja mund të përshtatë të hyrat e akterëve të sektorit për të mos lejuar ngritje tarifash.

“Faktori korrigjues është bërë te furnizuesi i shërbimit universal për faktin se kemi rritje të vlerës së importit, pra në bazë të bilancit të energjisë janë lejuar 70 gigavatë orë, ndërsa të realizuara janë diku 212 gigavatë orë. Praktikisht, kjo kosto duhet të mbulohet nga tarifat, mirëpo përshtatja e kostove mund të bëhet nga rregullatori”, tha Bujupi.

Në raportin konsultativ, ZRRE-ja refuzoi edhe kërkesën e KEK-ut për ngritje të çmimit të furnizimit me shumicë për KESCO-n, nga 29.5 në 31.5 euro.

Dy herë radhazi, më 2022 dhe 2023, Kosova pati ngritje të tarifave të energjisë elektrike.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA