PËRGATITI: PRANVERA KRASNIQI
Në gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, komuna e Ferizaj dhe Drenasit, evidentohen si dy komuna që në projekte të caktuara kanë kryer obligimet financiare ndaj kompanive, të cilat nuk kanë përfunduar punët. Në Ferizaj e pranojnë këtë lëshim, derisa në Drenas jo. Zyrtarë nga Komuna e Drenasit thonë se ZKA-ja mund të ketë bërë gabime ndaj përpilimit të raportit për ta.
Qarkullimi i mjeteve motorike në rrugën “Hajredin Azizi”, në Fshatin Rakaj të Ferizajt, vështirë bëhet.
Kjo si pasojë e mospërfundimit të asfaltimit të rrugës, ashtu siç e parasheh kontrata.
“Asfaltimi dhe zgjerimi i rrugëve këtu në fshatin Rakaj të Komunës së Ferizajt, është vetëm një nga projektet e vitit 2022 që nuk ka përfunduar ende, e për këtë situatë Zyra Kombëtare e Auditimit fajëson Komunën për parregullsitë në pranimin e punëve”.
Për mospërfundimin e punëve sipas afatit të përcaktuar, Komuna e Ferizajt fajëson kompanitë kontraktuese.
“Ky projekt ka qenë i kontraktuar, mirëpo për shkak të ndalimit të punimeve nga problemet financiare që ka pasur kjo kompani më parë si rrjedhojë janë ndalë edhe punimet”.
Sipas raportit të ZKA-së, edhe në Komunën e Drenasit, disa projekte nuk kanë përfunduar pavarësisht qe obligimet financiare i ka kryer ajo. Mirëpo, përfaqësuesi i kësaj komune, thotë se në Zyrën Kombëtare të Aditimit, mund të ketë ndodhur ndonjë gabim, pasi, sipas tij, nuk është paguar asnjë kompani pa u përfunduar punët.
“Ka ndodhur ndoshta gabim teknik pasi që në ZKA figurojnë disa pagesa për punë që nuk i kemi kryer dhe nuk figurojnë pagesa për punët që kemi kryer”.
Mbi 90 mijë euro, sipas ZKA-së, janë paguar për ndërtimin e objekteve sportive në Drenas, mirëpo, sipas saj, këto projekte nuk janë përfunduar.