Përgatiti: Kastriot Tahiri
Urgjencë të natyrës tjetër, zjarrfikësit po e vlerësojnë mosplotësimin e kërkesave të tyre.
Kësisoj, duke kërkuar kushte më të mira të punës dhe pagesë për rrezikshmërinë në punë, Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës protestoi sërish këtë të enjte para Qeverisë.
“Ftojmë qeverinë që ta analizojë gjendjen e krijuar në shërbimin e zjarrfikësve dhe të sigurojë mjete, të përmirësojë gjendjen e krijuar, sepse kështu në këtë formë nuk i konvenon askujt, as neve, as qytetarëve, as institucioneve të shtetit, kjo është e pakuptimtë, u kemi dhënë hapësirë dhe kohë. Ju kemi drejtuar prej vitit 2021 me këtë qeveri dhe qeveritë e tjera prej vitit 2008 dhe kjo gjendje që asnjë hap para mos të shkojë nga kjo revoltë e cila me të vërtetë e arsyeshme dhe presim që sot të na ftojnë një takim”, tha kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka.
Meqë, protesta zhvillohej në kohën kur brenda Kuvendit të Kosovës shqyrtohej projektligji për buxhetin, ata shtuan edhe një kërkesë tjetër.
“Zjarrfikësit nuk pajtohen me vendimin që ka marrë Qeveria e Kosovës për eliminimin e zjarrfikësve nga rrezikshmëria, d.m.th. nga shtesa pagë për rrezikshmërinë në punë, gjithashtu kemi kërkuar që në bazë të ligjit për zjarrfikësit shpëtim të shtohet numri i zjarrfikësve të rinj, sipas kriterit në 1500 banorë një zjarrfikës dhe gjithashtu kemi kërkuar buxhet shtesë për 2024 dhe mos të kemi probleme të njëjta, sepse ende nuk janë kompensuar për 2022, 2023 disa komuna duke ia hedhur fajin, qeveria komunave e komuna qeverisë”, tha Beka.
Në bazë të rregullores për strukturën organizative të njësive profesionale të zjarrfikjes dhe shpëtimit, për çdo 1.500 banorë nevojitet së paku një zjarrfikës.
Në bazë të kësaj llogaritjeje, Kosova duhet të ketë rreth 1.200 zjarrfikës, mirëpo në vend janë rreth 800 zjarrfikës.
Zjarrfikësit nuk kanë sigurime shëndetësore dhe paga e tyre bazë është 520 euro.