Joshua Zirkzee po shqyrton seriozisht mundësinë e largimit nga Manchester United gjatë afatit kalimtar të janarit, pas zhgënjimit me minutazhin e kufizuar që ka marrë këtë sezon nën urdhrat e trajnerit Ruben Amorim.
Sulmuesi holandez, i cili iu bashkua “Djajve të Kuq” verën e kaluar nga Bologna për 36.8 milionë funte, ende nuk ka arritur të lërë gjurmë në “Old Trafford”. Edhe pse ka regjistruar katër paraqitje në total, Zirkzee ka grumbulluar vetëm 82 minuta lojë, pa arritur të shënojë apo të asistojë.
Burime nga Anglia bëjnë të ditur se 23-vjeçari është i shqetësuar për rolin e tij aktual dhe për ndikimin që kjo situatë mund të ketë në mundësinë e tij për të qenë pjesë e Holandës në Kupën e Botës 2026.
Pikërisht për këtë arsye, ai po mendon seriozisht për një transferim të ri, ndërsa interesimi për të nuk mungon. Klube të mëdha si Juventus, Roma dhe PSV Eindhoven kanë shfaqur gatishmëri për ta afruar sulmuesin që shihet si një talent me potencial të madh.
Zirkzee, i cili ende nuk ka nisur asnjë ndeshje si titullar këtë sezon, pritet të vendosë për të ardhmen e tij në javët në vijim, me një largim të mundshëm në janar që duket gjithnjë e më i afërt.