Përgatiti: Driton Sadiku
Erden Atiq mund të mos jetë edhe gjatë kryetar i Mitrovicës së Veriut, nëse nisma për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në komunat veriore funksionon. Megjithatë ai pas vete do të lë asamblenë me shumicë shqiptare.
E në rast se vendin e tij e zë dikush nga komuniteti serb, sipas njohësve të politikes, qeverisja zor se do të mund të funksionojë.
“Kryetarët e zgjedhur të cilët sipas të gjitha gjasave do të jenë të listës serbe duhet me gjete një gjuhë të përbashkët me partitë shqiptare të cilat e përbejnë shumicën e asamblesë komunale. Zgjidhja ideale kishte me qenë që asamblistët shqiptar të tregohen konstruktiv dhe të votojnë vendimet që shkojnë në të mirë të qytetarit çdo herë duke respektuar republikën e Kosovës”, tha analisti politik, Fitim Mulolli.
Situatë e ngjashme është edhe në Zubin Potok. Andaj edhe vet kryetari aktual i kësaj komune Izmir Zeqiri, thotë se shkarkimi i tij nuk është zgjidhje për komunën.
“Nuk bëhet zgjidhja në komunat e veriut me shkarkimin e kryetarëve sepse ne kemi edhe kuvendet që udhëhiqen kryesisht prej pakicave kështu që kur duan të shfaqin pakënaqësi do munden”, tha Zeqiri.
Kësisoj mundësia që në këto dy komuna respektivisht Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok, të ketë edhe zgjedhje tjera është e madhe.
“Do të ketë disa muaj deri kur do të duhej të miratohej buxheti për vitin 2025 dha ty mund të ndodh që të mos votohet buxheti, dhe mund të ketë ndonjë ngërç dhe të thirren zgjedhjet për asamble”, tha Mulolli.
Për dallim nga Mitrovica e Veriut e Zubin Potoku, në Zveçan e Leposaviq pos për kryetarë, zgjedhje do të ketë edhe për asamble komunale.