Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka emëruar sot rreth 15 mijë komisionarë për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Mbi 12 mijë prej tyre do të jenë në vendvotime të rregullta, rreth 300 në qendrat e votimit me kusht dhe 2 mijë e 343 do të jenë të angazhuar për qendrat komunale të numërimit.
Anëtari i KQZ-së Arianit Elshani paralajmëroi komisionarët dhe anëtarët e tjerë që do të marrin pjesë në procesin e zgjedhjeve, se në çdo klasë do të ketë kamera të vëzhgimit dhe se çdo veprim që mund të rrezikojë apo cenojë procesin zgjedhor do të ndiqet penalisht.
“Këshilli për Operacione Zgjedhore po ashtu ka shqyrtuar tabelën me nominimet e Këshillave të Vendvotimit në Kosovë dhe qendrave komunale të numërimit. Po ashtu, të vendvotimeve më kusht. Bëhet fjalë për numër të përgjithshëm prej 14 mijë e 991 persona që janë nominuar nga subjektet politike…12 mijë e 422 anëtarë të këshillave të vendvotimit, në këtë rast komisionarë do të jenë në vendvotime të rregullta. 226 komisionarë do t’i kemi në qendrat e votimit me kusht dhe 2 mijë e 343 persona do të jenë të angazhuar për qendrën komunale të numërimit. Ky është numri total i qytetarëve që do të angazhohen në procesin zgjedhor. Në çdo klasë do të ketë kamerë të vëzhgimit. Çdo lëvizje, çdo veprim i cili mund të rrezikojë apo cenojë procesin zgjedhor në secilin vendvotim do të ndiqet penalisht nga KQZ-ja dhe do të procedohet tutje”, tha Elshani.
Anëtari tjetër i KQZ-së, Alban Krasniqi tha se po shkelen parimet nëpër disa komuna, ku po bëhet vendosja e personave të subjekteve politike të një komuniteti, në emër të një komitetit tjetër.
“Ka të bëjë me fenomenin e vendosjes së personave të subjekteve politike dhe të komunitetit tjetër në emër të një të një komunitetit tjetër. Më konkretisht komuna e Dragashit që kemi marrë informacione të sakta. Ne e dimë që këtu i kemi adresuar maksimalisht kërkesat e komunitetit jo shumicë kur kanë kërkuar vende për këshillat e vendvotimit. Kemi apeluar që këto vende janë të përcaktuara vetëm për anëtarët e tyre që vijnë prej komunitetit tyre. Mirëpo, fatkeqësisht në disa pjesë kjo është keqpërdorur dhe një prej tyre është Komuna e Dragashit. Sheh emra të shqiptarëve që janë të vendosur në emër të partive boshnjake apo turke dhe e kundërta në vendvotime të caktuara…Kjo mund të shihet në dy aspekte, e para si shkelje e parimit një anëtar i një partie politike në vendvotim dhe gjithashtu edhe si përpjekje për t’i korruptuar këto pozita, për përfitime materiale qoftë të anëtarëve brenda këtyre KKZ-ve apo njerëzve të tjerë që janë të përfshirë”, tha Krasniqi.
Krasniqi potencon se ky fenomen po ndodh në Dragash, Deçan e që sipas tij mund të ketë ndodhur edhe në Mitrovicë dhe Pejë.
“Parimi që një parti politike nuk mund të ketë më shumë se një anëtar në KVV është duke u thyer në Dragash, në Deçan, ndoshta edhe në Mitrovicë dhe Pejë nëse dikush ka vendosur të tjera emra përtej emrave që i ka dërguar vetë subjekti”, tha ai.
Sipas vendimit të KQZ-së do të shqyrtohen dhe verifikohen rastet kur subjektet politike kanë nominuar persona nga komuniteti tjetër dhe të bëjnë zëvendësimin e tyre. Ndër pikat e diskutuara në mbledhjen e KQZ-së është plotësim-ndryshimi i projektit për transparencë.
Arianit Elshani tha se KQZ-ja ka siguruar laptopë që do të përdoren në qendra komunale të numërimit në kuadër të këtij projekti
“Plotësim ndryshimi i projektit për transparencë. Si KQZ ne kemi siguruar laptopët që do të përdoren në qendra komunale të numërimit në kuadër të projektit të transparencës, në këtë rast pa kontratë. Projekti i transparencës paraqet vetëm tre procese të tenderimit të televizorëve dhe pajisje përcjellëse të televizorëve. Pastaj, mbajtësve të televizorëve dhe një tjetër proces për kabllot për lidhjen e kamerave me televizorë ose laptopët me kamera etj., dhe shumëçka tjetër. Këto janë tri kontratat që do të negociohen me operatorët”, tha Elshani.
Përveç kësaj, KQZ-ja miratoi ndërrimin e tri vendvotimeve në Leposaviq.