Me rastin e shënimit të 24 vjetorit të themelimit, Policia e Kosovës ditën e sotme e ka filluar aktivitete të ndryshme. Që nga mëngjesi, portat e stacionit të Policisë së Kosovës të hapura për qytetarët.
Aktivitetin e sotëm e kanë vazhduar në sheshin e Prishtinës, për t’i prezantuar disa nga pajisjet e njësiteve policore, ndër to armë, robotikë, automjete, autoblinda, motorë, pajisje të forenzikës dhe ato të mjekësisë.
Në këtë manifestim, prezent kanë qenë edhe drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, po ashtu edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Edhe 24 vjet pas themelimit, Policia e Kosovës vazhdon ende të përballet me sfida dhe të shumta.
Kryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës Imer Zeqiri, në një prononcim për ATV-në, ka përsëritur kërkesën e tyre që pjesëtarët ta kenë sigurim shëndetësor e jetësor.
“Policia e Kosovës, për kundër rezultateve dhe sukseseve të arritura të saj, është ballafaquar dhe ka përjetuar edhe sfida të ndryshme. Njëra ndër kushtet që apo kërkesë që ka qenë në vazhdimësi që nga themelimi i Policisë së Kosovës ka qenë që Policia e Kosovës të bëhet me sigurim shëndetësor dhe jetësor, e të cilën ende nuk e kemi dhe pas njëzet e katër viteve, një institucion kaq i rëndësishëm i shtetit të mos ketë sigurim shëndetësor dhe jetësor, definitivisht është shumë e padrejtë dhe shumë e pakuptim, prandaj ne edhe paraprakisht kemi kërkuar edhe nga qeveritë paraprake, edhe nga kjo qeveri dhe do të kërkojmë në vazhdimësi që Policia e Kosovës sa më parë të bëhet me sigurim shëndetësor dhe jetësor dhe jo vetëm me këtë”, tha Zeqiri.
Ai tha se kërkesë tjetër e sindikatës ka qenë që Policia e Kosovës të bëhet me Ligjin për pensionim në moshën 55 vjeçare si dhe shtesa e pagës për rrezikshmëri.
“Kërkesë e sindikatës ka qenë edhe në vazhdimësi edhe viteve të kaluara që Policia e Kosovës të bëhet me Ligjin për pensionim në moshën 55 vjeçare, e ka shumë arsye pse si dhe kushtet e tjera të cilat na mungojnë, e që si kërkesë e re pas implementimit të ri të Ligjit të pagave na ka dalë edhe shtesa për rrezikshmëri dhe shumë mangësi të tjera që i pat ky ligj dhe njëfarë forme nuk patëm ndonjë ngritje të dukshme të pagës, përkundrazi në disa sektorë, edhe te zyrtarët policorë edhe te pjesë e stafit civil kemi pasur zbritje page, e që na kanë dalë kërkesa të reja që ende nuk janë realizuar, si ë krahasimi me koeficient apo vlerësimi me koeficient siç thuhet edhe në ligj për punë të njëjtë, pagë të njëjtë e që kjo në disa raste nuk ka ndodhë, prandaj, janë këto kërkesa në vazhdimësi që ne jemi duke i kërkuar dhe do t’i kërkojmë vazhdimisht deri në realizimin e tyre. Përgjigje konkrete ende nuk kemi marrë. Kanë kaluar shtatë muaj, po flasim për Ligjin e pagave dhe shtesën e rrezikshmërisë dhe pjesën e koeficientëve, prandaj po shpresojmë që muaji shtator do të jetë ai i muajt i cili një komision që është i formuar nga Qeveria, të dalë me informacione apo me vendime të qarta dhe të sakta për Policinë e Kosovës, përkundër edhe kushteve të tjera”, u shpreh Zeqiri.
Zeqiri tregoi se gjatë këtyre 24 viteve, 23 zyrtarë policorë kanë humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës si dhe mbi 4000 janë lënduar, madje prej tyre ka shumë që kanë mbetur me aftësi të kufizuara.
“Në realitet derisa nuk kemi sigurim shëndetësor dhe jetësor, ndihmë këtyre zyrtarëve policorë u dilet nga vetë fondi i Policisë së Kosovës. Deri më tani kemi 23 zyrtarë policorë të cilët e kanë humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës zyrtare dhe kemi mbi 4000 raste të lëndimeve gjatë kryerjes së detyrës zyrtare dhe çka është edhe më e keqe që nga këto lëndime kemi pjesëtarë të Policisë së Kosovës që kanë mbetë me aftësi të kufizuara apo me invaliditet të përhershëm dhe krejt këtë përkujdesje e bëjmë përmes Departamentit të Shërbimeve Shëndetësore që është në kuadër të Policisë së Kosovës, pra thjesht nga Fondi i Policisë së Kosovës dhe nuk kemi ndonjë përkrahje tjetër shtesë që do duhej të ishte”, tregoi Zeqiri. /atvlive.tv
Më shumë detaje rreth kësaj çështje i gjeni në emisionin “A LIVE”, të cilin e gjeni në videon më poshtë: