Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se pas bisedimeve që i ka cilësuar si produktive mes zyrtarëve ukrainas dhe emisarëve të presidentit amerikan, Donald Trump, janë përgatitur disa dokumente draft, përfshirë ato për garancitë e sigurisë për Ukrainën, rindërtimin e vendit dhe një kornizë bazë për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.
Sipas një postimi të Zelensky-t në rrjetin social X, pas informimit nga negociatorët ukrainas Rustem Umerov dhe Andrii Hnatov, bisedimet janë zhvilluar gjatë fundjavës në Majemi të Floridës, me pjesëmarrjen e delegacioneve nga Ukraina, Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Po ashtu, janë mbajtur edhe bisedime të veçanta me përfaqësues rusë.
Zelensky ka theksuar se në këto takime janë vendosur pikat kryesore për të arritur një fund real të luftës dhe për të parandaluar një invazion të tretë rus, pas atij të vitit 2014 në Krime dhe Donbas.
Megjithatë, Kremlini ka shprehur rezerva lidhur me këto zhvillime. Zëdhënësi i tij, Dmitry Peskov, ka deklaruar se bisedimet nuk duhet të shihen si një përparim i madh, por si një proces pune që do të vazhdojë.
Ndërkohë, në të njëjtën kohë me këto zhvillime diplomatike, Rusia ka kryer një sulm masiv ajror mbi sistemin energjetik të Ukrainës.
Si pasojë e sulmeve, të paktën tre persona kanë humbur jetën, përfshirë edhe një fëmijë, ndërsa janë shkaktuar ndërprerje të gjera të energjisë elektrike në disa rajone të vendit, vetëm pak ditë para festave të Krishtlindjeve.






