Një operacion policor i zhvilluar mëngjesin e sotëm në fshatin Zhiti të komunës së Podujevës ka rezultuar me zbulimin e tri plantacioneve të kultivuara me gjithsej 525 bimë narkotike të llojit kanabis-sativa.
Sipas njoftimit zyrtar, plantacionet janë gjetur rreth orës 09:45 në një zonë pyjore të fshatit, ku njësitet policore kanë ndërhyrë pas marrjes së informacioneve në terren. Pas evidentimit dhe marrjes së mostrave për analiza, me urdhër të prokurorit të rastit, bimët narkotike së bashku me mjetet e punës janë asgjësuar në vendin e ngjarjes.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se rasti është nën hetime intensive, ndërsa deri më tani nuk është raportuar për persona të arrestuar që lidhen me kultivimin e këtyre bimëve.
“Raportohet se në pyllin e fshatit janë gjetur tri plantacione të mbjella me 525 bimë narkotike të llojit kanabis-sativa. Pas marrjes së mostrave, me vendim të prokurorit, bimët dhe mjetet e punës janë asgjësuar në vendin e ngjarjes. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.