Ëmbëlsirat i mori me shpresë që do t’i shesë, por bashkë me to mbeti në rrugë.
Veton Zejnullahu, bashkë me shumë shitës të tjerë u ndaluan nga policia në hyrje të Parkut të Gërmisë, në të cilin çdo 1 maj kanë shitur produkte të ndryshme për vizitorët.
“Sot është dita e 1 majit, nuk janë duke na lejuar, as leje nuk na japin, as në dorë nuk lejojnë, nuk e di tash, as nuk të lojnë me punu, as punë nuk ka kurrkund. Kërkesë nuk kemi bërë, por as leje nuk na kanë dhënë, secilën herë 1 Maji ka ra, qysh është bërë më herët. Nëse nuk mundemi në një vend, të paktën të na lejojnë në dorë me i mbajtë e m’i shitë”, tha Zejnullahu.
Por edhe sikur t’i lejonte policia të futeshin me produktet e tyre brenda parkut, të paktë ishin blerësit e mundshëm.
“Qe 44 vjet jam në Prishtinë, rregullisht kam dalë për 1 maj në Gërmi, por kjo është hera e parë që nuk ka qytetarë dhe nuk i di arsyet pse nuk ka”, thotë Ahmet Ahmeti, qytetar.
Sipas tyre, kriza ekonomike ka ndikuar që të mos ketë numër të lartë të qytetarëve.
“Kur të del njeri me bo pushim duhet me pasë pare, duhet me pasë me hangër me pi, sot nuk ka asgjë. Me 100 euro, me 300 euro nuk mundesh me mbijetu, të gjithë kanë qef me dalë, por nuk kanë mundësi, përpara nuk kemi pasë, por prapë më mirë se sot kemi qenë”, tha Tafë Duraku, qytetar.
Megjithatë, Komuna e Prishtinës për këtë ditë ishte përgatitur. Një ditë më parë ka marrë vendim që për Ditën e Punëtorëve të ndalojë qarkullimin e automjeteve që kalojnë në Parkun e Gërmisë, me qëllim që të evitohet tollovia në komunikacion për 1 maj. /atvlive.tv
Edicionin e Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë: