Trajneri i Real Madridit, Xabi Alonso, ka konfirmuar se asnjëri nga pesë mbrojtësit e lënduar nuk do të jetë gati për ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Juventusit, që zhvillohet të mërkurën mbrëma në “Santiago Bernabeu”.
Megjithëse përballja me italianët është e një rëndësie të madhe, “Los Blancos” po mendojnë edhe për “El Clasico”-n ndaj Barcelonës të dielën.
Trent Alexander-Arnold, Dani Carvajal dhe Dean Huijsen thuhet se janë pranë rikthimit të plotë fizik dhe sipas raportimeve të fundit, pritet të jenë në dispozicion për ndeshjen kundër katalanasve.
Sidoqoftë, Alonso ka hedhur poshtë mundësinë që ata të luajnë qysh në sfidën ndaj Juventusit.
“Duke parë për nesër, nuk besoj se Huijsen, Trent apo Carvajal do të jenë të gatshëm. Raportin përfundimtar do t’ua jap të shtunën,” deklaroi Alonso.
Duke folur për përballjen ndaj Juventusit, trajneri spanjoll shtoi:
“Është një klasike evropiane. Ata janë përballur shpesh me Real Madridin, dhe unë vetë kam qenë pjesë e disa prej atyre ndeshjeve. Ndihemi shumë të përgatitur.”
Alonso mbylli konferencën me një mesazh për tifozët:
“Synojmë fitoren tonë të tretë në këtë edicion të Ligës së Kampionëve. Dhe për një fillim të fortë, kemi nevojë për mbështetjen e plotë të stadiumit.” /ATVLIVE.TV