Bashkimi Evropian nuk tregoi çfarë zgjidhje të përkohshme kishte propozuar Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, në takimin e 2 Majit, pas zgjedhjeve në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Në një përgjigje për ATV-në, BE-ja nuk dha shpjegime për propozimin e saj.
Por, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic, pretendon se Borrell propozoi djegien e mandateve të të zgjedhurve më 23 Prill – duke mos kryer ceremoninë e betimit brenda afatit ligjor prej 30 ditësh nga momenti i certifikimit të rezultateve.
“Kurti refuzoi një zgjidhje të përkohshme, sipas së cilës ata nuk do t’i uzurponin zyrat në veri më 28 Maj. Mendoj se ishte një mundësi ideale për Kurtin që të tërhiqej dhe pastaj e kuptova që plani i tij është dëbimi i serbëve nga Kosova”, tha Vuçiq.
Ai tha se refuzoi draftin e propozuar të sekuencimit të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe shtojcës së Ohrit – pasi nuk dëshiron ta njohë Kosovën.
“Gjithçka ishte një grackë që Serbia të njohë Kosovën, de facto dhe de jure. Kishte një përpjekje për një plan të ri zbatimi, dhe pikë e parë ishte prezantimi i draft-statutit të Asociacionit, pika e dytë ishte t’i lejojmë ata të anëtarësohen në organizata ndërkombëtare dhe pika e tretë ishte themelimi i Asociacionit. E refuzova atë, sepse është në kundërshtim me atë që kemi diskutuar”, tha Vuçiq.
Të martën, Ekipi Menaxhues, tashmë i liruar nga detyra, prezantoi një draft-statut të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që u refuzua nga kryeministri Albin Kurti, i cili propozoi një draft-vizion për vetë-menaxhimin.
BE-ja ka shprehur “shqetësim të thellë” për situatën në veri të Kosovës dhe rrezikun e përshkallëzimit të saj pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme komunale. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë: