Vuçiq kërkon largimin e kryetarëve veriorë dhe formimin e Asociacionit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë sonte se situata në Kosovë po komplikohet dhe se është i “shqetësuar” për këtë.

Ai shtoi se Serbia është e gatshme për kompromise, por se Kosova duhet të largojë kryetarët e rinj në veri dhe të fillojë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe.

“Jemi gati për kompromise, vetëm ju kërkoj që të largoni kryetarët e rrejshëm nga ndërtesat komunale, le të japin dorëheqje. Jemi gati për kompromise, por edhe të fillojmë formimin e AKS-së”, tha Vuçiq Tv Hepa.

Ai ka raportuar se ka pasur diskutime të vështira për Kosovën.

“Me Miroslav Lajçak (emisari i BE-së), me disa përfaqësues amerikanë dhe me një nga përfaqësuesit më të lartë të BE-së, mbrëmë vonë kam pasur një bisedë jo të lehtë. Situata po ndërlikohet dhe më shqetëson shumë”, ka theksuar Vuçiq.

Ai raportoi se ushtria serbe ka kaluar nga niveli më i lartë në një nivel pak më të ulët të gatishmërisë luftarake. “Por ne kemi ende mjaft ushtarë për të ndihmuar popullin tonë”, nënvizoi ai.

Ai tha se nuk përjashton mundësinë që dikush të dëshirojë konflikte, duke shtuar se kjo dëshirë ekziston në tre apo katër vende. “Unë nuk mendoj se duhet të them se cilat vende janë”, shtoi ai.

Vuçiq theksoi se kishte biseda shumë të vështira në Kishinev të Moldavisë, veçanërisht me kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe presidentin francez Emmanuel Macron.

“Kam respekt të madh për kancelarin Scholz, jam politikisht i afërt me presidentin Macron. Ishte një bisedë shumë e vështirë. Unë thashë në një moment që nuk mendoj se është e drejtë dhe as për ta nuk ishte e lehtë. Ne kemi për t’i kuptuar ata, ata nuk duan luftë, konflikt. E jona është të mbrojmë paqen, interesat e popullit tonë, që populli ynë të mbijetojë. Prandaj nuk është e lehtë të bisedosh as me serbët e Kosovës”, shpjegoi ai.

Vuçiq tha se duhet të kujdeset për interesat e qytetarëve në mbarë Serbinë. Ai gjithashtu theksoi se të gjithë në botë janë duke pritur për zgjedhjet presidenciale amerikane dhe se korriku dhe gushti do të jenë shumë të rëndësishëm për Serbinë, veçanërisht nëse vjen Jim O’Brien, duke thënë se ai është një njeri që i kupton gjërat dhe di të dëgjojë.

“Nuk ka mashtrim me të dhe nuk është i informuar vetëm nga sektori i OJQ-ve, por ai sheh gjithçka dhe kupton gjithçka. Ai është jashtëzakonisht inteligjent, si Christopher Hill”, tha Vuçiq.

Ai ka përsëritur se është “shumë i shqetësuar” për Kosovën, sepse nesër do të prezantohen raportet e kryediplomatit evropian Josep Borrell dhe emisarit Miroslav Lajçak e të tjerë dhe se do të ketë propozime për masa të ndryshme.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA