Përgatiti: Nora Luta
Prokuroria Themelore e Prishtinës ka vazhduar ta marrë në pyetje të dyshuarin për organizimin e vrasjes së Liridona Ademajt, Naim Murseli, i cili nisi dëshminë e tij të mërkurën e kaluar.
Murseli e ka mohuar versionin e dhënë në polici.
Kështu ka thënë mbrojtja e Murselit, e cila ka shtuar se ai i ka mohuar edhe lajmet e publikuara rreth raporteve me viktimën.
“Dëshmia e të pandehurit Naim Murseli ka mbaruar, me sot ka përfunduar deklarimi i tij pranë Prokurorisë Themelore në Prishtinë, i cili në tërësi e ka mohuar versionin e dhënë gjatë intervistimit në Polici. Deklarata e tij ka qenë e dhënë në detaje në shpjegimin e ngjarjes, ka mohuar implikimin e tij në këtë rast. Informatat të cilat janë publikuar në lidhje me raportet e tendosura mes bashkëshortëve lidhur me besnikërinë e tyre, i pandehuri në tërësi i ka mohuar. Prokuroria vazhdon me grumbullimin e provave të mëtutjeshme”, deklaruan avokatët Teuta Zhinipotoku dhe Shemsedin Piraj.
Ndërkohë, paraditen e të enjtes, Prokuroria Themelore e Prishtinës e ka ftuar në intervistim sërish edhe të dyshuarin tjetër për përfshirje në vrasjen e Lirdona Ademajt, Kushtrim Kokallën.
Por ai ka vendosur të mbrohet në heshtje, duke e shfrytëzuar kështu të drejtën e garantuar me ligji, për të mos u përgjigjur në pyetjet e prokurorisë.
Javën e kaluar, Prokuroria kishte intervistuar edhe Granit Plavën, i cili dyshohet se e vrau 30-vjeçaren, dhe Tomë Dodajn, nga i cili dyshohet se e blenë bashkë me Murselin armën.