Përgatiti: Armand Hoti
Momenti kritik i 14 janarit, ku i riu nga Podujeva, L.F u rrah për vdekje nga dy të mitur, në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës u përshkrua si therje me thikë.
Mirëpo, sipas Shefit të Repartit Intensiv në QKUK, gjatë trajtimit mjekësor në trupin e viktimës, nuk ishte evidentuar ndonjë therje. Edhe pamjet që u publikuan në lidhje me rastin, janë ndryshe prej asaj çka u shkrua në raportin policor.
Lidhur me këtë paqartësi, Inspektorati Policor i Kosovës tashmë ka filluar hetimet.
“Ju informojmë se lidhur me këtë rast Inspektorati Policor i Kosovës sipas detyrës zyrtare ka filluar një hetim preliminar që përfshin përveç tjerash edhe grumbullimin e informacioneve shtesë rreth veprimeve të policisë si dhe sigurimin e të gjitha shkresave lidhur me këtë rast. Veprimet tjera do të ndërmerren varësisht nga të gjeturat e hetimit preliminar dhe autorizimeve ligjore të IPK-së”, thuhet në njoftimin e IPK-së.
Interesimi i gazetarëve për të marrë përgjigje sa i përket përshkrimit fillestar të rastit nga Policia, nuk u përfill nga komandanti i Stacionit Policor të Podujevës, Njazi Jashari.
Pas mbledhjes urgjente të Këshillit për Siguri në Bashkësi, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, njoftoi se njëri nga të dyshuarit për vrasjen e të riut, është i njohur për organet e rendit.
“Me këto raste është marrë gjyqësia dhe prokuroria, dhe njëri prej tyre, në këtë fazë kur ka ndodhur tash rasti, faktikisht ka qenë i dënuar me 3 vite e gjysmë burgim për një rast të mëhershëm dhe faktikisht ka pasuar ky rasti që është aktualisht”, tha Bulliqi.
Ndërkaq, tjetri sipas Bulliqit, karakterizohej për sjellje të këqija në shkollë.
“Ndërsa i dyti, i cili është bashkëpjesëmarrës, nuk është që ka të hapur ndonjë rast nga organet e rendit… “Është nxënës i cili nuk ka treguar rezultat të mirë në shkollë. Është nxënës të cilit i është thy nota e sjelljes dhe ka pasur një numër të madh mungesash”, tha Bulliqi.
Kryetari Bulliqi vlerësoi se në përgjithësi gjendja e sigurisë në komunën që ai udhëheqë është stabile.
Të dyshuarit për vrasjen e të riut gëzojnë kushte të mira ekonomike. Që nga data 15 janar ndaj tyre është caktuar masa e paraburgimit, prej një muaji.
18 vjeçari L.F vdiq të shtunën në intensivë në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës.